Vetëm në dy muajit e parë të këtij viti bizneset e tekstileve dhe këpucëve kanë humbur afro 38 milionë euro. Bazuar në të dhënat e Institutit të Statistikave, eksportet e këtij sektori në janar dhe në shkurt arritën në vlerën 182 milionë euro, që është vlera më e ulët që prej vitit 2021.
Po ashtu janë ulur edhe kontratat apo porositë nga jashtë për prodhimet e sektorit fason në vend, pasi në këto dy muaj të parë të vitit importet janë ulur me 18.7 milionë euro krahasuar me vjet. Në total në janar dhe shkurt vendi importoi nga jashtë 122.2 milion euro tekstile dhe këpucë.
Ky sektor ka hyrë në një spirale krize që prej vitit 2020, pas izolimit nga pandemia, por me zhvlerësimin e valutave kryesisht të euros, janë ulur ndjeshëm edhe fitimet e tyre. Aktualisht një euro sot po këmbehet me 103 lekë, që është niveli më i ulët që prej dhjetorit të vitit të kaluar.
Për të ndihmuar këtë industri që punëson me mijëra qytetar në të gjithë vendin, qeveria vendosi përmes rishikimit të buxhetit të japë 4 miliardë lekë si garanci sovrane.
Por teksa ka kaluar 1 muaj ende Ministria e Ekonomisë nuk ka përcaktuar kushtet dhe kriteret e kësaj garancie, pra nuk është saktësuar sa do të jetë norma e interesit, sa mund të jetë vlera maksimale e kredisë që mund të marrë një biznes apo se për sa % të saj do të dalë shteti garant. Vetëm pasi të dalë ky udhëzim do të mund të hapen aplikimet për të përfituar nga garancia.
Ndërsa vetë biznesi fason propozon që norma e interesit të jetë nga 0 deri në 1.5%, shteti të garantojë 80% të kredisë si dhe bankat të mos kenë kërkesa mbi situatën e tyre financiare, pasi ata janë në vështirësi e bilancet e tyre janë negative.