Kryeministri Edi Rama, njëherësh kryetar i Partisë Socialiste bëri të ditur sot se po punohet për krijimin e Kadastrës Digjitale, për të evituar çdo ndërhyrje me titujt e pronësisë.

I pyetur nga shqiptarët e Amerikës mbi zgjidhjen e çështjes së pronave, Rama kujtoi situatën me të cilën u ndeshën kur erdhën në qeverisje.

“Regjimi komunist të gjithë titujt e pronësisë, dokumentet e pronës, pasi ndaloi çdolloj prone private në çdolloj forme, i futi nëpër kasaforta hekuri dhe i la si ishin. Asnjë copë letër nuk mori ta djegë, ta grisë, apo zëvendësojë. Sigurisht që mbase ata nuk e imagjinonin dot që një ditë komunizmi do të shembej dhe prona do të rikthehej, si e drejtë themelore në një vend të lirë”, tha Rama.

Ndërkohë, sipas tij, “antikomunistët, këta që sot vazhdojnë ulërijnë kundër drejtësisë dhe që dolën me flamurin e kthimit të pronës tek pronarët, i hapën ato kasaforta, i morën letrat e pronave dhe i bënë çorap për llogari të tyre”.

Rama tha se asnjë ndërhyrje nuk është bërë për llogari të pronarëve.

Sipas kryeministrit, sa herë është ndërhyrë në ligje pronash, aq herë është shtuar konfuzioni.

“Ajo që po bëjmë ne sot dhe që është një nga kushtet më të vështira, të forta dhe sfiduese për t’u ulur në tryezë si anëtarë të BE-së është sistemimi i të gjithë situatës së pronës në një kadastër plotësisht digjitale, ku nuk mund të bëhet asnjë ndërhyrje, as nga brenda dhe as nga jashtë”, tha Rama.

Ky, sipas tij, “është një proces jo i lehtë, por është bërë progres”.

“Plagët e hapura në çështjen e pronës në të shkuarën janë shumë të thella. Kjo është një tjetër arsye për të vazhduar këtë përpjekje”, tha Rama./ata