Prokuroria e Posaçme përfundoi hetimet dhe mori të pandehur për 3 akuza ish gjyqtarin e Gjykatës së Elbasanit, Ilir Pashaj, i cili pas largimit nga gjyqësori ka ushtruar detyrën e avokatit. SPAK informoi sot (25 mars 2024) se paraqiti para Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar kërkesën për gjykim të në ngarkim të tij

Për çfarë akuzohet?
SPAK e akuzon për tre vepra penale
- ‘Korrupsioni pasiv i gjyqtarëve, prokurorëve dhe funksionarëve të tjerë të drejtësisë”
- “Refuzimi për deklarim, mosdeklarimi, fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive, interesave private të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë ose i çdo personi tjetër që ka detyrimin ligjor për deklarim”
- Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”

Pse korrupsion?
Sipas SPAK Pashaj ka përfituar pasuri të luajtshme dhe të paluajtshme të cilat janë produkt i veprës penale të korrupsionit. Rasti për të cilën i referohet SPAK ka të bëjë me një vendim që gjyqtari ka dhënë në 2009 për lëshimin e urdhrit të ekzekutimit për tituj ekzekutiv.

Nga analiza e fakteve dhe provave rezulton se i pandehuri Ilir Pashaj, gjatë periudhës që ka ushtruar detyrën e gjyqtarit në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Elbasan, ka përfituar në mënyrë të parregullt pasuri të luajtshme dhe të paluajtshme, të cilat janë produkt i veprës penale të korrupsionit, vepër penale e cila është vërtetuar si e konsumuar të paktën në një rast dhe konkretisht në rastin që lidhet me  vendimin gjyqësor nr.343, datë 29.7.2009, të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Elbasan, me objekt “Lëshimin e urdhrit të ekzekutimit për titujt ekzekutive, vendimet nr.255, dhe nr.256, datë 29.6.2009, dhe nr. 244, datë 26.6.2009, të Zyrës Rajonale të Kthimit dhe të Kompensimit të Pronave” thuhet në padinë e SPAK.

Pse fshehje pasurie?

Nuk deklaroi apartamentin dhe makinën
Si gjyqtar Pashaj duhej të bënte deklarimin periodik të pasurisë. Por ndër vite ai ka fshehur një automjet dhe nuk ka pasqyruar pasurinë e paluajtshme një apartament 104 metra katror e cila ishte e tij por e kishte regjistruar në emër të vjehrrit, shtetasit Sh. B

“I pandehuri Ilir Pashaj, për shkak të funksionit të tij si gjyqtar, nuk ka pasqyruar në deklaratat periodike të viteve 2015, 2016, dhe atë pas largimit nga funksioni, një automjet i targuar me targë AA……JM, duke fshehur në këtë mënyrë këtë pasuri të luajtshme.

 Gjithashtu ky i pandehur nuk ka pasqyruar në këto deklarata as pasurinë e paluajtshme të përfituar në emër të vjehrrit të tij Sh. B.. Gjyqtari Ilir Pashaj edhe pse është i njohur me detyrimin ligjor për të deklaruar gjithë pasuritë e luajtshme dhe të paluajtshme, me dashje direkte i ka fshehur ato duke i regjistruar në emër të personave të tjerë të afërm të tij, duke konsumuar në këtë mënyrë elementë të veprës penale të parashikuar nga neni 257/a/2 i Kodit Penal” thuhet në njoftimin e SPAK.

 Pasuritë i fshehu në emër të vjehrrit dhe kunatit

SPAK thotë se Ilir Pashaj, është kujdesur që përfitimet e parrregullta të përfituara për shkak të detyrës së tij si gjyqtar t‘i maskojë në emër të të tjerëve (vjehrrit dhe kunatit), duke fshehur pronarin dhe burimin e vërtetë të këtyre pasurive, konsumuar në këtë mënyrë edhe elementë të veprës penale të parashikuar nga neni 287 i Kodit Penal. Ky shtetas me anë të të transferimit të pasurisë që është objekt përfitimi të parregullt tek të afërmit e tij, me qëllim mbulimin e origjinës së paligjshme të këtyre pasurive, ka konsumuar elementët e pastrimit të produkteve të veprës penale të parashikuar nga neni 287/1 gërma “a” e Kodit Penal, atë të pastrim i produkteve të veprës penale, vijon më tej SPAK

Apartamenti në emër të vjehrrit
Gjatë hetimeve paraprake të këtij procedimi me kërkesë të Prokurorisë së Posaçme, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me vendimin nr.92, datë 07 shkurt 2024, ka vendosur sekuestron preventive mbi pasurinë e paluajtshme të llojit apartament, me sipërfaqe 105.2 m2, me vendodhje në Elbasan. Apartamenti ishte në pronësi të vjehrrit shtetasit Sh.B por  që dyshohet se i përket të pandehurit Ilir Pashaj dhe që përbën produkt të veprës penale” informoi sot SPAK

Ky vendim është ekzekutuar nga Drejtoria Vendore e Policisë Elbasan.

Makina në emër të kunatit 
Gjithashtu me vendimin e GJKKO-së së datës 25 mars 2022 prokurori ka vendosur sekuestrimin në cilësinë e provës materiale të automjetit me targë AA…..JM, i regjistruar në emër të kunatit të të pandehurit Ilir Pashaj, por që rezulton se është pronë e tij. Ky vendim ëshë ekzekutuar nga policia gjyqësore.

Procedimi penal nr 49 është regjistruar në vitin 2020 dhe vepra penale për të cilën akuzohet Pashaj janë të parashikuara nga 319/ç, 257/a dhe 287/1, gërma “a” të Kodit Penal.