Shqipëria U21 është mundur me rezultatin 3-1 këtë të martë në sfidën e zhvilluar në “Air Albania” përballë Zvicrës U21.
Ndeshja e vlefshme për grupin E të kualifikuesve të “Euro 2025” u dominua nga mysafirët, që dhe pse e nisën lojën në mbrojtje, sërish gjetën golin që në minutën e 28’ përmes një goditje dënimi, ndaj të cilës gardiani i portës shqiptare nuk mundi të bënte asgjë. Autori i golit ishte Surdez. Pjesa e parë u mbyll në rezultatin 1-0 për “miqtë”.
Në pjesën e dytë, kuqezinjtë tentuan të barazojnë shifrat, por pa sukses. Zvicra U21 arriti sërish të ishte më e saktë përpara portës, kur në minutën e 54’ Sanchez arriti t’i shpëtojë markimit të mbrojtësve shqiptarë dhe të devijoi topin e harkuar nga këndorja në portën e mbrojtur nga portieri Simon Simoni.
Të besuarit e Alban Bushit, pas pësimit të golit të dytë u hodhën të gjithë në sulm, duke lënë hapësira pas dhe në minutën e 76’ sërish mysafirët gjetën golin. Topin në rrjetë e dërgoi Keller.
I vetmi gol për skuadrën kuqezi u shënua nga Shpendi në sekondat e fundit të lojës, në minutën e 92’, që vlen vetëm për statistikë. Pas kësaj disfate, kuqezinjtë bien në vendin e katërt me 10 pikë ndërsa Zvicra ngjitet në krye me 14 pikë./ata