Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se, do të thellohet reforma e arsimit profesional.

Në fjalën e tij në Konferencën Kombëtare për Arsimin dhe Formimin Profesional, Rama u shpreh se, “nëse flasim për arsimin profesional, sot ne jemi ende shumë larg. Shumë larg pikës ku duhet të mbërrijmë dhe nuk duhet të mbërrijmë pas 10 vjetësh, por duhet të mbërrijmë shumë shpejt”.

“Na duhet të thellojmë reformën nga ana jonë, na duhet që atë çka kemi nisur këtë vit me një ndarje qysh në vitin e parë të gjimnazit të një pjese të nxënësve për t’i çuar drejt arsimit profesional ta kthejmë në një sistem orientues dhe fitues ku sa më shumë nxënës që shkojnë për inerci në gjimnaz dhe që nuk kanë asnjë “sy për qabe” që të shkojnë në universitet e kështu humbin 4 vite, bashkë me të gjitha shpenzimet e prindërve për të dalë në fund të papunë pa asnjë dije, t’i orientojmë drejt strukturave të arsimit profesional por për ta bërë këtë në mënyrë domethënëse na duhet që strukturat e arsimit profesional t’i çojmë në një nivel tjetër, nga pikëpamja cilësore dhe nga pikëpamja sasiore. Fatmirësisht i kemi shembujt”, tha Rama.

“Kemi një shkollë në Shqipëri, ndër të tjera, që quhet “Hermann Gmeiner”, e cila e ka treguar me forcën e shembullit pse nuk duhet ndonjë shkencë e madhe për ta adresuar me cilësinë më të lartë këtë nevojë dhe për t’ju dhënë nxënësve një perspektivë fantastike”, u shpreh Rama.

“Problemi me shkollën “Hermann Gmeiner” është që aty janë aktualisht më pak se 50 % e atyre që aplikojnë, që mund të hyjnë në shkollë për shkak të kapacitetit dhe në shkollën “Hermann Gmeiner” lufta bëhet me presje dhjetore, midis 10, 9.9, 9.8, duke tërhequr kështu një kapital të çmuar të asaj moshe që nga ana tjetër kur mbaron, niset për të bërë universitetin jashtë dhe më pas numri i kthimeve është modest”, tha Rama.

Natyrisht, shtoi kreu i qeverisë, “ne nuk mund të pengojmë nxënësit që të synojnë që të shkojnë në universitete që i përgjigjen kapacitetit dhe ambicies së tyre jashtë shtetit, por duhet të arrijmë që të japim këtu më shumë alternative. Pa harruar t’u themi prindërve, pa harruar t’u themi fëmijëve që sot statistikisht në Shqipëri, 70 % e kërkesave për punë janë për profesionistë apo zanatçinj, teknik të mesëm dhe të lartë”.

Ndërkohë, shtoi ai, “vetëm 30 % e kërkesave që ka tregu janë për arsimin e lartë universitar, jurist e këto sepse për shumë vite, falë çfarë u bë në vitet e mëparshme, do të jemi vendi me numrin më të madh të juristëve për kilometër katror në botë. Ndërkohë që numrat për kilometër katror të profesionistëve, teknikëve të mesëm, teknikëve të lartë, zanatçinjve i kemi shumë modest”./ata