Ermest Sollaku prej dy vitesh punon udhërrëfyes në qytetin e Durrësit. Studenti i vitit të dytë në degën "Guidë turistike" në Universitetin “Aleksandër Moisiu” ka krijuar tashmë një eksperiencë pune dhe është në pritje të pajisjes me licencë.
“Jam guidë turistike, amator për momentin por pres të marr dhe licencen. Turistët I shoqëroj në Durrës por dhe në qytete të tjera si Krujë dhe Berat. Ata kryesisht janë të interesuar të mësojnë për kohën e komunizmit”, tha Ermest Sollaku.
Rritja e ndjeshme e numrit të turistëve ka bërë që të shtohet kërkesa për guida turistike. Kthimi i Durrësit në një destinacion gjithë vjetor, do u krijonte mundësi personave që shërbejnë si guida turistike të kenë një punë stabël.
“Aktualisht studentet punojnë vetem gjatë sezonit veror, sfidë mbetet të punësohen gjatë gjithë vitit. Ky është shqetësimi kryesor, që të punësohen me kohë të plotë”, tha pedagogia Dorina Xheraj.
Në takimin e zhvilluar paraditen e sotme në sallën e Këshillit Bashkiak mes përfaqësuesve të Drejtorisë së Turizmit dhe studentëve të UAMD-së që ndjekin degën "Guidë Turistike" theksi u vu tek prezantimi i guidave të reja dy- tre ditore, të cilat do t'u ofrojnë të huajve një panoramë më të gjerë të të gjithë potencialit historik, natyror, kulinarisë, turizmit të aventurës etj që qyteti 3000-vjeçar ofron.
Në prag të këtij sezoni të ri veror, bashkia Durrës vjen me aplikacionin dhe ëebpage-n e dedikuar turizmit www.visitdurres.al, ku jepet një informacion mjaft i detajuar, shoqëruar me video dhe foto mbi atë çfarë ofron qyteti. Vitin e kaluar, Durrësin e vizituan 1.5 milionë turistë, ndërsa këtë vit pritshmëritë janë edhe më të larta.