Komisioni për Veprimtaritë Prodhuese Tregtinë dhe Mjedisin po zhvillon ditën e sotme mbledhjen ku diskutohet propozimi i deputetes demokratike, Jorida Tabaku për shfuqizimin e projektligjit të Investitorëve Strategjikë’.

 

 

Tabaku tha se vendimet për dhënien e statusit të investitorit strategjik kanë qenë abuzive në të shumtën e rasteve duke avantazhuar vetëm një grup të vogël kompanish. Ajo tha se shfuqizimi i ligjit për investitorët strategjikë duhet të nisë nga 1 janari i këtij viti."Në pjesën më të madhe të vendimeve për invesntitorë strategjikë, vendimet kanë qenë abuzive. Në ligjin kur u krijua u tha se ligji do të ishte i përkohshëm. Një ligj që do rregullonte investimet vendase dhe të huaja. Dhe u tha se nuk do ishte i përjetshëm. Ndodhemi sot pas 8 vitesh, kur ligji ende është në fuqi dhe është shtyrë 3 herë.  Nuk ka patur ndikim në zona të caktuara por kemi dëgjuar për investime strategjike për persona të sanksionuar, Deripaska i shpallur investitor strategjik për luleshtrydhet në Divjakë, është e paimagjinueshme”-u shpreh Tabaku.

 

Ndërsa sekretari i komisionit, Laert Duraj tha se nëse do të shfuqizohej ligji për investitorët strategjikë, atëherë efektet do ishin prapavepruese sepse mund të ketë kontrata të nënshkruara pas 1 janarit të këtij viti.

 

“Momenti kur po diskutohet ky projektligj, jemi në fundin e muajit shkurt dhe një projektakt nuk mund të ketë efekt prapa veprues. Pavarësisht diskutimeve që mund të kemi për datën, edhe sikur të kishim konsensus, përsëri data 1 janar, është me efekt prapaveprues dhe kjo do penalizonte kompanitë që e kanë bërë një kërkesë të tillë pranë komisionit sipas parashikimeve ligjore”-tha Duraj.

 

Ndërsa Tabaku iu përgjigj se ishte e gatshme që të pranonte edhe datën 1 mars për hyrjen në fuqi të vendimit, duke shtuar se nevojitej vetëm vullnet politik.