Kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta u shpreh sot në një konferencë për shtyp se, pensionistët janë kategoria më e diskriminuar e shoqërisë, teksa shtoi se, përgjegjëse për këtë është qeveria.
“Pensionistët janë varfëruar edhe më shumë si për shkak të mosrritjes të nevojshme të pensioneve si dhe për shkak të rritjes së jashtëzakonshme të çmimeve”, tha Meta.
Ai nënvizoi se, “numri i pensionistëve është rritur ndjeshëm në vitet e fundit kur ndërkohë masa e pensionit është përkeqësuar vazhdimisht në raport me nivelin e pagës minimale dhe të asaj mesatare”.
Kreu i PL shtoi se, “shkalla e zëvendësimit si raport i masës së pensionit me pagën minimale në shkallë vendi dhe me pagën mesatare po përkeqësohet vit pas viti”.
Meta u shpreh se është e domosdoshme të bëhet indeksimi i vazhdueshëm i pensioneve për shkak të rritjes së çmimeve.
“Rritja me përparësi e pensioneve të ulta krahasuar me ato të larta. Kryerja e reformës së pensioneve për të realizuar shtyllën e dytë të pensioneve me qëllim të rritjes së masës së pensioneve”, tha ai.
“Ulja e informalitetit, duke rritur numrin e kontribuuesve që do të mundësonte rritjen e fondeve për të financuar rritjen e pensioneve. E padyshim, rritja e punësimit afatgjatë tek të rinjtë që do të kontribuojnë gjithashtu në rritjen e kontributeve dhe do të përmirësojë skemën e mbulimit të pensioneve. Dhe natyrisht që ndalimi i shpopullimit të Shqipërisë është shumë i rëndësishëm edhe për të përmirësuar të gjithë skemën e pensioneve”, theksoi Meta./ata