Në kuadër të presidencës belge të Këshillit të Bashkimit Evropian, më datat 24-26 mars 2024 u zhvillua në Bruksel, seanca plenare e 71-të e Konferencës së Komisioneve Parlamentare për Çështjet Evropiane të vendeve anëtare të Bashkimit Evropian (COSAC).
Kuvendi i Republikës së Shqipërisë u përfaqësua në këtë veprimtari nga anëtarët e Komisionit për Çështjet Evropiane, deputetja e Partisë Socialiste Pranvera Resulaj, deputeti i PS Ornaldo Rakipi dhe deputetja e Partisë i Lirisë Erisa Xhixho.
Sipas njoftimit të Kuvendit të Shqipërisë, gjatë sesionit të parë me temë “Rishikimi i legjislaturës evropiane 2019-2024 dhe perspektivat për agjendën strategjike të Këshillit për 2024-2029”, debatet u fokusuan në luftën kundër lajmeve të rreme gjatë zgjedhjeve, forcimin e Bashkimit Evropian dhe situatën në Ukrainë. Zëvendëskryeministri dhe ministri për Lëvizshmërinë i Belgjikës, Georges Gilkinet, vuri në dukje se nga fillimi i Presidencës belge, agjenda politike dhe legjislative e BE-së ka bërë përparim të rëndësishëm fokusuar në mbrojtjen e demokracisë dhe dialogu për sundimin e ligjit.
Në fjalën e saj, gjatë këtij sesioni, Erisa Xhixho theksoi se integrimi në BE mbetet objektivi i të gjitha vendeve të Ballkanit Perëndimor. Duke përmendur instrumentet përmes të cilave BE i ka zgjatur dorën Ballkanit Perëndimor si Plani i rritjes, tranzicioni ekologjik, tranzicioni drejt një ekonomie më digjitale, Xhixho u shpreh se ato janë mundësi që nuk duhen humbur.
“Shqipëria e ka të qenësishme për qytetarët e saj të përfitojë nga mundësitë që i jepen dhe e ka te domosdoshme nisjen e diskutimeve për grupkapitujt e parë 23-24 të negociatave, ku përfshihen drejtësia dhe të drejtat e njeriut”, theksoi Xhixho.
Ajo u shpreh se zgjerimi është rruga e vetme për ta bërë Evropën më të bashkuar dhe më solide, duke theksuar se lufta në Ukrainë i shërbeu Evropës si zile zgjimi për t’i kujtuar se vetëm duke qenë e bashkuar mund të përballë çdo rrezik.
Gjatë këtij sesioni mori fjalën edhe Ivanna Klympush-Tsintsadze, kryetare e Komisionit për Integrimin e Ukrainës në Bashkimin Evropian, e cila falënderoi të gjithë për ndihmën që i kishin dhënë Ukrainës dhe kërkoi që programi strategjik i Bashkimit Evropian për periudhën 2024-2029 t’i japë përparësi forcimit të aftësive mbrojtëse dhe investimeve ushtarake të Evropës, zgjerimit strategjik të BE-së, reformimit të BE-së dhe strategjive për humbjen e Rusisë.
Gjatë sesionit të dytë me temë “Politikat gjinore dhe përfaqësimi i grave dhe burrave në parlament”, e mori fjalën edhe Pranvera Resulaj, e cila nënvizoi se në Parlamentin Shqiptar, gratë përfaqësojnë 35.7 % dhe luajnë një rol të madh në rrugën e integrimit evropian të Shqipërisë dhe Aleanca grave parlamentare ka ndërmarrë iniciativa për mbrojtjen e grave nga dhuna psikologjike dhe digjitale bazuar në arsimim, ndërgjegjësim, mbështetje institucionale dhe nisma ligjore.
Resulaj theksoi mbështetjen e parlamentit shqiptar dhe qeverisë shqiptare për shtetin e Ukrainës. “Sepse tingëllon ironike të flasësh për dhunë digjitale ndaj gruas në politikë apo kudo, ndërsa në Ukrainë nuk kemi vetëm dhunë, por krim dhe agresion!”, tha Resulaj./ata