Deputetja e Partisë së Lirisë, Monika Kryemadhi u shpreh sot për gazetarët pas daljes nga GJKKO dhe vendimit për shtyrjen e seancës në orën 13.30 se sapo kishte takuar ata që i cilësoi “tre muskutierët e drejtësisë së Ramës, Dumanin, Krajën dhe Kllapi dhe gjyqtarin Çela”.

Kryemadhi tha se kjo ishte eksperienca e parë në një sallë gjyqi.

“Pati një mashtrim të drejtpërdrejtë nga Kraja ku tha që Meta është marrë në mënyrë normale dhe ka pranuar aktin, kur ju të gjithë e dini që u rrëmbye nga një grup banditësh me kallash pa mjet identifikimi. Kërkuam që të njiheshim me provat e thashethemeve që ata kanë ngritur. Bujaria e gjyqtarit të drejtësisë së kastruar të Ramës na la vetëm 3 orë kohë për të parë dosjen, për të parë të gjitha provat, gjë e di që s’ka asnjë prove dhe mendon se 3 orë do jenë shumë pak”, tha ajo.

“I kam kërkuar gjyqtarit dhe prokurorit dosjen që keni shpërndarë, që në fakt qoftë prokuroria apo gjykata kanë shkelur neni 279 të Kodit Penal për nxjerrjen e sekretit hetimor. Dua të theksoj për ju, që kjo godinë nuk është drejtësia e re, është departamenti i marrëdhënieve të publikut dhe propagandës të Edi Ramës. Po u them edhe njëherë tjetër që të jeni të bindur që sot kam kuptuar që veglat një përdorimshme të Ramës dhe grupit të strukturuar kriminal, që nga inceneratori, 5D që nga pallatet e ndërtimit me paratë  drogës, koncesionet që vjedhin çdo ditë paratë e qytetarëve, sot i pamë në fytyrat e tyre të veshura me toga e zeza. S’kam më asnjë shpresë për në sistem drejtësie të kapur të manipuluar dhe mbi të gjitha është kriminale”, tha Kryemadhi.

Ajo u pyet nga gazetarët për reagimin e Ilir Metës në sallën e gjyqit, ndërkohë që ata janë në një proces divorci.

“Nuk flas fare për Metën, kanë bërë provokim të hapur për mua dhe familjen time. Në mënyrë të qëllimtë na kanë futur me një sallë për të marrë masa arresti në grup, kur secili nga ne ka masën për ta marrë në mënyrë individuale. Asnjë nga ne nuk është i akuzuar, të gjithë jemi të dyshuar, poshtërsi e madhe është që për të larguar vëmendjen, nga ENCHRO, trafiku i drogës, nga gjithë krimi i strukturuar që ka kapur çdo gjë, kërkojnë të bëjnë shou mediatik, politik, mbase edhe emocional. Emocionet e tyre nuk i kënaqim dot”, tha Kryemadhi./ata