Presidentja e Maqedonisë së Veriut, Gordana Siljanovska Davkova, ishte nikoqire e Samitit të krerëve të shteteve dhe qeverive pjesëmarrësve në Procesin e Bashkëpunimit të Evropës Juglindore (SEECP), si aktivitet përfundimtar në kuadër të kryesimit të Maqedonisë së Veriut me Procesin.
Türkiye, e cila është anëtare e SEECP-së, në Samit u përfaqësua nga ministri i Punëve të Jashtme, Hakan Fidan.
Pas Samitit, presidentja Siljanovska Davkova mbajti një konferencë të përbashkët për media me presidentin e Malit të Zi, Jakov Milatoviq dhe presidentin e Shqipërisë, Bajram Begaj. Mali i Zi kryesoi me SEECP-në vitin e kaluar, ndërsa Shqipëria është vendi i radhës që kryeson me Procesin.
Presidentja Siljanovska Davkova u shpreh shumë e kënaqur nga Samiti i sotëm. Ajo foli për integrimet evropiane dhe theksoi se është jashtëzakonisht e rëndësishme që anëtarët e BE-së nga rajoni të mbështesin të gjithë pjesëmarrësit e Procesit që nuk janë anëtarë të BE-së në rrugën evropiane, duke shtuar se kështu ndërtohet bashkëpunimi gjithëpërfshirës rajonal.
“Evropa po përballet me sfida serioze ekonomike dhe të sigurisë. Në tokën evropiane po zhvillohet një luftë, dhe siç e dini, projekti evropian është një projekt paqeje. Jemi të vetëdijshëm se ka lodhje nga zgjerimi, por ka një lodhje edhe më të madhe nga pritja. Prandaj, në cilësinë e kryesuesit të Procesit, i inkurajoj partnerët evropianë që të qëndrojnë konsekuent, kredibil dhe parimor ndaj idesë evropiane”, tha Siljanovska Davkova.
Ajo theksoi se procesi i anëtarësimit në BE duhet të bazohet në meritokraci dhe reforma të zbatuara në vazhdimësi.
Duke folur për sfidat e sigurisë, ajo tha se rajoni ka një përgjegjësi të përbashkët në ruajtjen e paqes, duke shtuar se është e nevojshme të përmirësohen kapacitetet kombëtare dhe rajonale në çështjet e sigurisë dhe të vazhdohet bashkëpunimi me NATO-n.
Në fjalën e tij, presidenti i Malit të Zi, Jakov Milatoviq, e përgëzoi Maqedoninë e Veriut për kryesimin e suksesshëm të Procesit, duke shtuar se edhe një herë bashkërisht u promovua vizioni i prosperitetit dhe stabilitetit rajonal.
“Gjatë presidencës së Malit të Zi të vitit të kaluar kemi përcaktuar dy tema prioritare. Së pari, përshpejtimi i integrimit evropian të rajonit tonë dhe së dyti, avancimi i bashkëpunimit rajonal. Një vit më vonë, sot këtu në Shkup, me kënaqësi mund të konstatoj se të gjithë së bashku kemi bërë hapa të rëndësishëm drejt arritjes së qëllimeve të përcaktuara”, tha Milatoviq.
"Shqipëria mbetet një mbështetëse entuziaste dhe proaktive e bashkëpunimit rajonal"
Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, në fjalën e tij u shpreh se takimi i sotshëm ishte i suksesshëm, dike falënderuar nikoqirët për organizimin e Samitit.
Ai theksoi se ky Samit vjen në një moment të rëndësishëm për të forcuar bashkëpunimin rajonal dhe për të përshpejtuar procesin e integrimin në BE.
“Jam i bindur se puna dhe rezultatet e arritura gjatë kryesimit tuaj njëvjeqar kanë kontribuuar për të patur një organizatë më të fortë dhe më aktive, si dhe për të ndërtuar një të ardhme më të mirë, më demokratike dhe më të begatë. Shqipëria mbetet një mbështetëse entuziaste dhe proaktive e bashkëpunimit rajonal, bashkëpunim i cili përmirëson jetën e qytetarëve tanë, forcon marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë si dhe ndihmon proceset integruese euroatlantike”, tha presidenti Begaj.
Ai shtoi se Shqipëria do të jetë kryesuese e Procesit për të tretën herë, duke theksuar se prioritete do të jenë procesi i integrimit në BE, rritja e qëndrueshme ekonomike, axhenda e gjelbër dhe dixhitale, turizmin, kulturën dhe ndërlidhshmërinë.
SEECP është një nismë rajonale në të cilën janë anëtarë 13 vende: Maqedonia e Veriut, Türkiye, Shqipëria, Kosova, Bosnja e Hercegovina, Bullgaria, Greqia, Rumania, Serbia, Kroacia, Moldavia, Mali i Zi dhe Sllovenia.
Nisma synon të krijojë një atmosferë besimi, marrëdhënie të mira fqinjësore dhe stabilitet./aa