Kolektivi “Marshojmë s’festojmë” mbajti sot marsh protestues në Ditën e Gruas. Përmes marshit, dhjetëra gra në Prishtinë kërkuan drejtësi për gratë e vrara.

 

“Gratë vriten, shteti hesht”, “Poshtë shteti patriarkal”, “Shteti ka duart me gjakun e grave të vrara”, ishin disa nga thirrjet e grave në këtë marsh.

 

Aktivistja Mirishahe Syla u shpreh se gratë kanë shumë më shumë të përbashkëta se dallime. Ajo theksoi se pak më shumë se 2 mijë gra në vit e raportojnë dhunën sepse siç tha “shumicës prej nesh u është mësuar se gruaja e mirë duron”

 

“Ne të gjitha punojmë, po jo të gjitha nga ne paguhen. Ne punojmë në dhe jashtë shtëpisë, koha jonë më e madhe i kushtohet të tjerëve, pastrim-gatim, kujdes pak nga ne marrin pagë për këtë punë. Pak nga ne jemi në politikë. Asnjë nga ne nuk udhëheqim ndonjë komunë…Ne na thonë lindim në derë të huaj e shkojmë në derë të huaj…Pushkë nuk qitet edhe kur lind ndonjë nga ne. Jemi ne ato që dhunohemi në shtëpi, në rrugë, më shkollë, punë, polici, gjykatë e prokurori. Ne dhunohemi çdo ditë në shtëpitë kur shpërngulemi pas martesës. Por, vetëm pak më shumë se 2 mijë nga ne e raportojmë dhunën në vit, sepse shumicës prej nesh u është mësuar se gruaja e mirë duron”, tha ajo.

 

Syla u shpreh se çdo të drejtë që gratë e gëzojnë është fituar nga lufta e përbashkët për barazi. Ajo nënvizoi se ka shumë punë për t’u bërë, jo vetëm për ne, por edhe për ato që do të vijnë.

 

“Ne duhet të ruajmë me kujdes çdo të drejtë të fituar, sepse edhe ato sot jonë në rrezik. Në shumë vende të botës, të drejtat e grave po sfidohen, andaj ne më shumë se kurrë dhe si gjithmonë duhet të jemi bashkë për të njohur, për të mbrojtur, për të vlerësuar e festuar njëra-tjetrën…Ne duhet t’i vazhdojmë përpjekjet tona që të tjerat para nesh i filluan. Ne kemi edhe shumë për të bërë, jo vetëm për ne, por edhe për të gjitha para nesh e ato që do të vijnë pas ”, u shpreh ajo tutje.

 

Syla shtoi se do të vazhdojnë rezistencën e tyre në shtëpi, rrugë, shkollë, parlament e kudo, duke shtuar se feminizmi “ka jetuar e do të jetojë përmes nesh, bashkë për njëra-tjetrën kundër shtypjes, bashkë për një jetë pa dhunë ndaj vajzave dhe grave.

 

Marshi, i cili nisi te Pallati i Drejtësisë përfundoi përpara objektit të qeverisë me thirrjet “Poshtë patriarkati”, “Poshtë qeveria patriarkale”, “Poshtë institucionet patriarkale”, “Marshojmë kundër dhunës ndaj grave” etj. /KosovaPress/