Në kuadër të “Vitit të Gjuhës Shqipe”, të shpallur nga Ministria e Arsimit dhe e Sportit, Qendra per Hapje e Dialog (COD) zhvilloi takimin e parë të ciklit “Gjuha shqipe në bashkëkohësi”, me të ftuar pedagogët Lindita Xhanari, Lorena Dedja nga Universiteti i Tiranës dhe Granit Zela nga University of New York Tirana.
Takimi, ku ishin të pranishëm përkthyes, redaktorë e studentë, pati në qendër të diskutimit temën: “Çështjet dhe problemet e terminologjisë në kuadrin e përkthimeve, të redaktimeve dhe të botimeve në ditët e sotme. Përkthimi si urë komunikimi kulturor dhe sfidat e përkthimit letrar në gjuhën shqipe”.
Pas viteve `90, gjuha shqipe u përball me një sërë ndryshimesh qofshin ato politike, sociale, të cilat ndikuan drejtëpërdrejtë në çështjet gjuhësore. Prof. Lindita Xhanari veç sfidave në përkthimin e terminologjisë filozofike dhe historike nga turqishtja në shqip, në fjalën e saj u ndal edhe në trajtimin e përmasave gjuhësore dhe kulturore të përkthimit, si dhe domosdoshmërinë e njohjes së kulturave ku prodhohen dhe konsumohen përkthimet dhe rëndësinë e redaktorëve për ruajtjen e gjuhës standarde.
Ndërsa prof. Lorena Dedja u ndal tek përthimet nga gjuha frënge, përzgjedhja e materialeve për publikun dhe problematikat e përkthimit në gjuhën shqipe nga joprofesionistë që nuk janë njohës të mirë të gjuhës shqipe. Prof. Granit Zela, nxiti të rinjtë që të rriten profesionalisht duke mos e përqendruar çdo gjë tek pjesa monetare, por tek krijimi i përvojës./ata