Presidenti Bajram Begaj, priti sot nxënësit e shkollës 9-vjeçare “1 Maji” të Beratit.

Nxënësit e kësaj shkolle dhuruan momente të veçanta përmes një programi artistik të shfaqur në institucionin e Presidentit të Republikës, ndërsa u paraqitën të veshur me kostume kombëtare, në ruajtje të traditës.

Me interpretimet e tyre në poezi, këngë e kërcim, ata shfaqën talentin e kultivuar në shkollë, duke dëshmuar përkushtimin e stafit të mësuesve ndaj nxitjes së pasionit për artin e kulturën. Gjithashtu artistët e vegjël ekspozuan në Presidencë punimet e tyre në pikturë.

Presidenti Begaj këshilloi fëmijët jo vetëm për nxënien e dijes, por dhe për ndjekjen e ëndrrave, pasioneve dhe talenteve.

“Ju inkurajoj të vijoni të jeni nxënës të mirë, të lexoni e të studioni sa më shumë dhe të ndiqni të gjitha ëndrrat, talentet e dëshirat tuaja. Vijoni me pasionet letrare, shkencore, artistike, sportive dhe besoni në idetë tuaja! Përdoreni energjinë, kureshtjen dhe vullnetin e moshës suaj për të zbuluar mrekullinë e dijes, e do të shikoni se çdo ëndërr do të jetë e realizueshme!”, – u shpreh Presidenti i Republikës, duke falënderuar përzemërsisht mësuesit dhe prindërit e nxënësve për përkushtimin ndaj brezit të ri./ata