Që nga shtatori i ardhshëm, Miroslav Lajçak, nuk do të jetë më i dërguar i posaçëm i Bashkimit Europian për dialogun Kosovë-Serbi.
Kjo sepse në kuadër të rotacionit të madh që BE po bën në postet diplomatike nëpër botë, Lajçak pritet që të jetë ambasador në Zvicër.
Radio Evropa e Lirë mëson nga burimet diplomatike se Lajçak do të nisë mandatin në kryeqytetin zviceran, Bern, më 1 shtator të këtij viti.
Ende nuk dihet se kush do ta zëvendësojë Lajçakun në postin e të dërguarit të posaçëm për dialogun për normalizimin e raporteve mes Kosovës dhe Serbisë.
Të njëjtat burime i thanë REL-it se ambasadori aktual i BE-së në Estoni, Aivo Orav, është zgjedhur që të jetë shefi i ri i Zyrës së bllokut evropian në Kosovë. Ky post po ashtu ka rangun e përfaqësuesit të posaçëm të BE-së.