Zyra e Fondacionit Turk Maarif në Shqipëri ka organizuar një iftar me pjesëmarrjen e zyrtarëve dhe personaliteteve nga fusha të ndryshme.
Në iftarin e organizuar në ambientet e një hoteli në Tiranë ishin të pranishëm përfaqësues të institucioneve turke, të institucioneve shqiptare, të partive politike të Shqipërisë, të organizatave të ndryshme, si dhe personalitete nga fusha të ndryshme.
Ambasadori turk në Tiranë, Tayyar Kağan Atay, në fjalën e tij tha se Fondacioni Turk Maarif me gjithë eksperiencën e tij dhe me aktivitetet tij në Shqipëri i shërben të gjithë rinisë shqiptare.
"Ne si ambasadë e shtetit turk në Shqipëri përveçse duam të shprehim mbështetjen tonë për shtetin shqiptar dëshirojmë gjithashtu që edhe t’i forcojmë lidhjet ndërmjet dy shteteve", tha Atay.
Ambasadori turk u shpreh se këtë vit muaj i Ramazanit është gjatë luftës që po ndodh në Gaza dhe shtoi se shpresojnë që të arrihet një ndalim i kësaj lufte sa më shpejt të jetë e mundur.
Atay theksoi se në kohët e vështira pas tërmetit të vitit të kaluar në Türkiye, vunë re gjithë mbështetjen që ka dhënë shteti shqiptar.
Hasan Ulusoy, anëtar i Bordit të Administrimit të Fondacionit Turk Maarif, u shpreh se muaj i Ramazanit është muaj i paqes, tolerancës, solidaritetit dhe i bollëkut.
Ulusoy tha se Fondacioni Turk Maarif është një institucion publik me veprimtari ndërkombëtare.
"I shpreh mirënjohjen tonë të thellë edhe presidentit të Republikës së Türkiyes, Recep Tayyip Erdoğan, që na ka dhënë mundësinë të kryejmë aktivitete arsimore jashtë vendit tonë dhe për mbështetjen ndaj fondacionit", tha Ulusoy.
Ulusoy tha se Universiteti i New Yorkut në Tiranë (UNYT) është universiteti i parë privat në Shqipëri dhe është i vetmi universitet që është nën administrimin e Fondacionit Maarif dhe që ofron mësimin njëqind për qind në anglisht.
Rektori i UNYT-së, Ali Güneş, tha se duhet t’u japin rëndësinë e duhur ditëve të Ramazanit, ku sipas tij arrihet shërimi i botës së brendshme.
"Vërtet është muaji i Ramazanit ai muaj i cili na bëri të mblidhemi sot këtu, u bë arsyeja kryesore që ne të mblidhemi, por besoj shumë që gjithë shoqëria, vëllazëria dhe gjitha ndjenjat e mira që na kanë bashkuar këtu sot do të vazhdojnë dhe pas këtij muaj të bekuar", tha Güneş.
Gjatë programit të iftarit u shfaqen edhe video rreth veprimtarisë së Fondacionit Turk Maarif dhe UNYT-së./aa