Fatmir Doga, regjisori i filmit “Prokurori”, i cili do të shfaqet së shpejti në kinematë e Tiranës, ka treguar përshtypjet nga xhirimet e serialit në Tiranë. Në një prononcim për mediet ai u shpreh se vetë natyra dhe historia e shqiptarëve është shumë kinematografike.

“Ne shqiptarët, qoftë dashurinë, qoftë urrejtjen, e kemi në ekstrem, sepse jemi shumë emocionalë. Nuk e di nëse mund të ketë një popull në botë që ka kaq shumë histori sa ne. Dhe kjo është shumë kinematografike. Gjithë këto ngjarje janë skalitur në ADN-në tonë”, tha Doga.

Xhirimet e filmit në Shqipëri janë realizuar edhe me pjesëmarrjen e aktorit të njohur amerikan, Danny Glover, i cili luan rolin e ambasadorit amerikan në Tiranë. Regjisori Doga tha se, Glover është larguar nga Shqipëria me përshtypjet më të mira.

“Ai erdhi këtu shumë skeptik, pasi nuk dinte shumë për vendin, thuajse asgjë. Di të them këtë që, në aeroport iku duke qarë. U ndje shumë mirë këtu dhe tha se një dashuri si kjo vetëm mamaja ia kishte dhënë”, deklaroi regjisori Fatmir Doga.

Episodi i parë i serialit vjen në kinematë e Tiranës nga data 10 tetor dhe ka si producentë Ylli Ujkën dhe Çesk Ivanajn. Filmi është i zhanrit aksion/dramë dhe merr shkas nga ngjarje të përditshmërisë, me fokus reformën në drejtësi dhe luftën e një prokurori të ndershëm për t’u përballur me krimin e organizuar dhe politikanë të korruptuar./ata