Kryeministri Edi Rama theksoi sot se “konferenca e dytë kombëtare e Arsimit dhe Formimit Profesional “Aftësi 2030″, që u mbajt më datat 26-27 mars 2024, shënoi një tjetër moment kyç për të diktuar nevojat e tregut të punës për zanate të caktuara dhe zhvillimin e kapitalit njerëzor për një ekonomi inovative”.

Në një postim në rrjetet sociale, Rama tha se “ambicia drejt këtij sektori synon të përfshijë mekanizma inovativë të financimit, zhvillimin e sistemit dual dhe përfshirjen e teknologjisë dhe infrastrukturës digjitale”.

Në fjalën e tij gjatë punimeve të konferencës, Rama deklaroi se do të thellohet reforma e arsimit profesional.

“Na duhet të thellojmë reformën nga ana jonë, na duhet që atë çka kemi nisur këtë vit me një ndarje qysh në vitin e parë të gjimnazit të një pjese të nxënësve për t’i çuar drejt arsimit profesional ta kthejmë në një sistem orientues dhe fitues ku sa më shumë nxënës që shkojnë për inerci në gjimnaz dhe që nuk kanë asnjë “sy për qabe” që të shkojnë në universitet e kështu humbin 4 vite, bashkë me të gjitha shpenzimet e prindërve për të dalë në fund të papunë pa asnjë dije, t’i orientojmë drejt strukturave të arsimit profesional, por për ta bërë këtë në mënyrë domethënëse na duhet që strukturat e arsimit profesional t’i çojmë në një nivel tjetër, nga pikëpamja cilësore dhe nga pikëpamja sasiore. Fatmirësisht i kemi shembujt”, tha Rama.

Konferenca dyditore kishte qëllim të eksplorojë ato qasje inovative, të cilat janë në harmoni me tendencat demografike, përparimet teknologjike, digjitalizimin dhe nevojat në zhvillim e sipër të tregjeve të punës dhe të sektorëve ekonomikë prioritarë./ata