Prestigjiozja “Financial Times” i ka kushtuar një reportazh Shqipërisë, duke ndarë një përvojë unike të përjetimit nga udhëtarët e reporterët që kanë vizituar vendin tonë.
Kryeministri Edi Rama ndau sot në rrjetet sociale reportazhin e “Financial Times”, i cili sjell përjetime përmes qyteteve antike, rrënojave arkeologjike e objekteve të kultit, të staneve në malësi dhe të traditave shpirtërore.
“Reportazhi përcjell një stili jetese e mikpritjeje që për fat vendi ynë ende e ruan fort”, u shpreh Rama.
Përmes këtij reportazhi “Financial Times” përcjell një udhëtim në sitet e mbrojtura nga UNESCO, si Berati, Gjirokastra e Butrinti, përjetime nga Apolonia antike, jeta në zonat malore të vendit për t’u kthyer te zhvillimi i kryeqytetit, Tiranës.
“Vendi është magjepsës dhe i bukur, dhe njerëzit janë jashtëzakonisht miqësorë. Vendet antike si Butrinti dhe Apolonia kanë disa nga rrënojat më të bukura klasike në Mesdhe. Në brendësi, malet shpalosen në distanca të gjata, me qytetet e lashta osmane që komandonin luginat e tyre. Rrugët janë të mira, po ashtu dhe restorantet. Por, udhëtimi këtu ishte si nëpër dekada. Nganjëherë Shqipëria ndihej si Europa e stërgjyshërve tanë – karroca me kuaj, barinj që kullosin tufat, burra që korrin grurin me dorë dhe thithin bykun”, shkruan ndër të tjera “Financial Times”.
Për “Financial Times”, Tirana është një qytet më simpatik sesa thonë njerëzit për të.
“Ka kafene me tarraca në natyrë, një sallë të bukur koncertesh, një muze të madh arkeologjik dhe disa muze modernë tërheqës që katalogojnë idiotizmin dhe tmerret e periudhës komuniste. Por, isha i lumtur që dola nga qyteti në peizazhe të gjera rurale”, thuhet ndër të tjera në këtë reportazh./ata