Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu siguroi sot se do të vijojnë investimet e mëtejshme për t’u krijuar mjekëve dhe të gjithë stafeve spitalore, kushte bashkëkohore si dhe paga konkurruese si në vendet e Bashkimit Europian.
Në Ditën Botërore të Mjekëve, Koçiu shprehu mirënjohjen për përkushtimin dhe sakrificën e përditshme të mjekëve në shërbim të qytetarëve.
“Kënaqësi që brenda pak muajsh paga e mjekëve sërish do të ketë tjetër rritje, e cila synon jo vetëm rritjen e mëtejshme të cilësisë së shërbimit shëndetësor në Shqipëri, por stimulon brezin e ri për zgjedhjen e këtij profesioni si degë studimi në arsimin e lartë për t’i shërbyer këtij vendi”, u shpreh ministrja.
Koçiu ndau në rrjetet sociale një video me mesazhe nga bluzat e bardha, të cilët shprehin përkushtimin për përmbushjen e misionit të tyre në shërbim të qytetarëve.
“Kjo ditë na gjen më të motivuar, me infrastrukturë spitalore moderne dhe me paga më të larta dhe me një shërbim sa më cilësor për qytetarët”, u shpreh një mjeke.
Mjekët apeluan po ashtu kolegët e tyre që të qëndrojnë në Shqipëri dhe të japin kontributin për vendin e tyre./ata