Strasburg - Në përfundim të ditës së parë nga vizita në Strasbourg, Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, u prit nga mbi 30 ambasadorë të shteteve anëtare në Këshillin e Evropës.

 

Në fjalën e tij, ai foli mbi progresin dhe zhvillimin e Kosovës në demokratizimin e vendit, rritjen ekonomike, sundim të ligjit e drejtësi, njoftoi Zyra e shtypit e kryeministrit Kurti.

 

Kosova ka bërë hapa të mëdhenj drejt demokratizimit dhe zhvillimit ekonomik, tregues të së cilës janë indekset dhe rankimet ndërkombëtare që faktojnë se Kosova është një histori suksesi e demokracisë cilësore dhe zhvillimit ekonomik.

Kryeministri Kurti foli dhe mbi aplikimin për anëtarësim në Këshillin e Evropës. Republika e Kosovës ndan të njëjtat vlera dhe parime me Këshillin e Evropës, të cilat janë të mishëruara edhe në Kushtetutën e Republikës.

 

Ai i falënderoi vendet anëtare për mbështetjen e deritanishme dhe kërkoi nga to vazhdimin e saj për të avancuar tutje në këtë proces deri në anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës.