Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha, i ftuar në emisionin Kjo javë në News24 të moderatores Nisida Tufa, komentoi situatën në PD, por edhe atë politike në vend.
Basha theksoi se shumica dërrmuese e qytetarëve nuk do që Rama të jetë më kryeministër. Ai shtoi se një program serioz çon Partinë Demokratike në qeverisje.
“PD zyrtare është problem real për Ramën. E vërteta është se protestat nuk na kanë çuar asgjëkund. Edhe PS-në kur ishte në opozitë nuk e çoi kund, e gjitha është humbje energjie. Nëse bëjmë protestë, patjetër do mblidhnim shumë njerëz. Dua të them se më 20 shkurt u bë një protestë dhe u tha se do ishte dita e fundit e Ramës. Por, protestuesit u zhgënjyen sepse nuk ishte dita e fundit e Edi Ramës. Nuk është e rëndësishme kjo, por duhet të hapim mendjen dhe të mendojmë si përcaktohet shumica.
Protestat kanë rezultat, por ngacmon nervin e shoqërisë, por aktualisht nuk kanë rezultat. Unë kam organizuar protesta në krye të PD-së, që kishin rezultat, ndërsa tani kemi protesta hije. As ata nuk janë në gjendje të detyrojnë Edi Ramën për diçka. Shumica dërrmuese e qytetarëve nuk do që Rama të jetë më kryeministër. Një program serioz na çon në qeverisje. Po, në Shqipëri numri i njerëzve që duan rotacion politik është më i madh se i atyre që duan status quo”, deklaroi Basha.