Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, gjatë një tubimi pranë banesës së tij, u ka kërkuar mbështetësve të Partisë Demokratike të përforcojnë përpjekjet për transformimin e Shqipërisë nga veriu në jug, duke vijuar protestat.
Ai theksoi se beteja e Partisë Demokratike ka vetëm një qëllim: krijimin e një qeverie teknike, zgjedhje të lira dhe të ndershme, si dhe fitoren e opozitës. Më tej, Berisha u bëri thirrje të rinjve, studentëve, nxënësve, por edhe pensionistëve, të bashkohen në atë që ai e cilësoi si betejë të Partisë Demokratike për ndryshimin e Shqipërisë.
Duke komentuar inaugurimin e Xhamisë së Namazgjasë, Berisha tha se ajo u ndërtua në tokën e Komunitetit Mysliman, e konfiskuar nga regjimi komunist dhe e rikthyer nga PD.
“Unë sot kam mirënjohje për të gjithë ata që me bujari financuan ndërtimin e saj. Thirrja ime për Komunitetin Mysliman Shqiptar është të përçmoni dhe të hidhni poshtë përpjekjen diabolike të Edi Ramës për përçarjen tuaj,” u shpreh Berisha.
Sipas tij, mungesa në ceremoni e udhëheqësit shpirtëror të besimtarëve myslimanë, kryetarit të KMSH-së, ishte një ofendim për çdo besimtar mysliman.
Ish-kryeministri deklaroi se, nëse PD vjen në qeveri, liria fetare do të respektohet. “Do të respektojmë me admirim të madh tolerancën fetare dhe bashkëveprimin ndërfetar si vlerat më të arrira të shpirtit shqiptar. U bëj thirrje sonte të gjithë besimtarëve, pa dallim feje, të bashkohemi kundër atyre që, si puna e Edi Ramës, kërkojnë të nxisin ndasi fetare për qëllime politike,” përfundoi Berisha./ata