Gazeta "The Wall Street Journal" (WSJ) thekson se marrëveshja e fshehtë për rritjen e shkëmbimit të inteligjencës mes SHBA-së dhe Izraelit ka shkaktuar shqetësime se administrata e Washingtonit ka kontribuar në vdekjet e civilëve në Gaza.
Zyrtarët amerikanë në një deklaratë për WSJ thanë se shumë pak kohë pas 7 tetorit 2023 u arrit marrëveshje e fshehtë për të zhvilluar rrjetin e inteligjencës mes SHBA-së dhe Izraelit. Në të njëjtën periudhë bëhet e ditur se SHBA-ja ka rritur aktivitetet e saj të inteligjencës ndaj Gazës.
Edhe pse zyrtarët deklarojnë se informacionet e shkëmbyera në kuadër të marrëveshjes së fshehtë në fjalë, duhet të përdoren në përputhje me ligjin ndërkombëtar dhe në mënyrë që të mos shkaktojë dëme civile ose të dëmtojë infrastrukturën, nuk është konfirmuar se me çfarë qëllimi dhe në cilin drejtim e përdor Izraeli inteligjencën e siguruar nga SHBA-ja. Kjo situatë shkakton shqetësime se SHBA-ja po kontribuon në sulmet izraelite që shkaktojnë humbje civile në Gaza.
- Është e vështirë të dihet se si Izraeli e përdor inteligjencën e siguruar
Zyrtarët amerikanë kanë mbrojtur idenë se qëllimi kryesor i sigurimit të inteligjencës është shpëtimi i pengjeve në duart e Hamasit dhe për të parandaluar sulmet e mundshme kundër Izraelit.
Informacioni i tillë si imazhet "bruto" të marra nga Gaza përmes mjeteve ajrore pa pilot (dronëve) janë ndarë me Izraelin, njoftuan zyrtarët amerikanë të cilët kanë thënë se është e vështirë të parashikohet se si janë përdorur nga Izraeli informacionet në fjalë pas bashkimit me informacionet e tij.
- Koordinim i paparë
Zëdhënësi i ushtrisë izraelite, Daniel Hagari tha se niveli i inteligjencës dhe bashkëpunimit ushtarak mes Izraelit dhe SHBA-së nuk ka qenë asnjëherë kaq i lartë përgjatë 30 viteve të detyrës së tij në ushtrinë izraelite.
"Ndodhemi në një koordinim inteligjence të një niveli të paparë", tha Hagari.
Anëtari i Dhomës së Përfaqësuesve të SHBA dhe Komitetit të Inteligjencës, Jason Crow ka deklaruar se inteligjenca e ndarë me Izraelin nuk përputhet me vlerat kombëtare dhe interesat e sigurisë së SHBA-së.
Ai vuri në dukje se ka zhvilluar takime të ndara me një zyrtar ushtarak izraelit të nivelit të lartë dhe me zyrtarë të inteligjencës amerikane dhe se ka gjetur "mospërputhje të mëdha" në deklaratat e dy palëve lidhur me viktimat civile./aa