Ministri i Jashtëm i Rusisë, Sergey Lavrov, theksoi se siguria në Lindjen e Mesme nuk mund të garantohet pa krijimin e një shteti palestinez dhe tha se Izraeli dhe SHBA po përpiqen ta pengojnë këtë proces në çdo mënyrë të mundshme.
Lavrov mbajti një konferencë për media pas takimit të Ministrave të Jashtëm të Organizatës së Bashkëpunimit të Shangait (SCO) të mbajtur në Astana, kryeqytetin e Kazakistanit.
Duke thënë se në takimin ministror diskutuan për situatën në Lindjen e Mesme, Lavrov vuri në dukje rëndësinë e krijimit të shtetit palestinez.
"Ne kemi arritur mendimin e përbashkët se nuk është e mundur të garantohet siguria në këtë rajon të Euroazisë pa krijimin e një shteti palestinez. Si Izraeli, ashtu edhe SHBA që mbështet Izraelin, po përpiqen ta pengojnë këtë proces (krijimin e shtetit palestinez) në çdo mënyrë të mundshme", deklaroi Lavorv.
- "Perëndimi po përpiqet të kontrollojë Euroazinë"
Lidhur me politikën e Perëndimit ndaj Euroazisë, Lavrov tha: "Perëndimi, i udhëhequr nga SHBA, po përpiqet të marrë kontrollin e gjithë Euroazisë. Përfaqësuesit e NATO-s dhe Bashkimit Evropian (BE) po përpiqen të integrojnë strukturat e tyre në Azi dhe të mundësojë që vendet e rajonin t‘i nënshtrohen atyre".
Duke vlerësuar konferencën e paqes për Ukrainën që do të mbahet nën organizimin e Zvicrës më 15-16 qershor, Lavrov deklaroi se kjo konferencë u organizua për të trajtuar formulën e paqes në cilësinë e ultimatumit të presidentit ukrainas, Volodymyr Zelenskyy.
"Janë absurde përpjekjet e Perëndimit për të tërhequr vendet në konferencën me temë Ukrainën për t‘i vendosur Federatës së Rusisë ultimatum", shtoi Lavrov.
Ndër të tjera Lavrov foli edhe për situatën në Gadishullin Korean dhe tha se SHBA dhe aleatët e saj po përpiqen të prishin situatën këtu./aa