Kryeministri i Japonisë, Fumio Kishida deklaroi sot se, Japonia do të ngarkojë edhe një ambasador për Ballkanin Perëndimor.

 

Në një deklaratë të përbashkët për shtyp me Kryeministrin Edi Rama, Kishida tha se, “zbatimi i paqes rajonale dhe prosperiteti i Ballkanit Perëndimor, përfshirë Shqipërinë, është i rëndësishëm jo vetëm për Evropën, por edhe për komunitetin ndërkombëtar, përfshirë Japoninë. E parë nga një perspektivë e tillë, lidhur me Marrëveshjen e Bashkëpunimit të Ballkanit Perëndimor, Japonia përkrah shtimin e përpjekjeve për reforma nga ana e vendeve të Ballkanit Perëndimor, në ambicien e tyre për të hyrë në Bashkimin Evropian”.

 

Dhe në këtë kuadër, theksoi ai, “Japonia do të ngarkojë edhe një ambasador për Ballkanin Perëndimor. Së bashku me kryeministrin Rama, ne do t’i diskutojmë këto iniciativa nga Japonia dhe rëndësinë e rolit të Shqipërisë në promovimin e pajtimit ndëretnik”.

 

“Ne do të diskutojmë edhe çështje ndërkombëtare të sigurisë, përfshirë rajonin e Paqësorit dhe rajone të tjera. Synoj t’i shpjegoj kryeministrit strategjinë tonë të sigurisë kombëtare dhe të miratuar nga qeveria jonë përballë një situate të tillë. Tashmë, kam gjetur një mirëkuptim paraprak gjatë takimit dhe gjatë diskutimeve me kryeministrin Rama dhe ne do të flasim edhe për forcimin e bashkëpunimit mes dy vendeve tona”, tha Kishida.

 

Kryeministri i Japonisë, Kishida theksoi se, gjatë takimit ne ramë dakord të dënojmë me forcë agresionin rus kundër Ukrainës, që është një shkelje e hapur e ligjit ndërkombëtar, një shkelje e sovranitetit dhe e integritetit territorial të Ukrainës.

 

“Si një vend që është goditur nga bombat atomike gjatë Luftës së Dytë Botërore, Japonia nuk mund të pranojë kurrë kërcënimet ruse mbi përdorimin e armëve bërthamore. Ne jemi për të bashkëpunuar në partneritet me komunitetin ndërkombëtar dhe për të dhënë një mesazh të qartë për këtë. Gjithashtu, unë theksova, se Japonia si kryesuese e G7-s gjatë këtij viti do të nxisë çuarjen përpara të vendosjes së sanksioneve të forta për Rusinë dhe dhënien e asistencës për Ukrainën. Ne ramë dakord se jemi dy vende që duhet të vazhdojmë të punojmë ngushtësisht, përfshirë një rezolutë që do të miratohet nga Asambleja e Përgjithshme e OKB-së”, tha ai.