Kryeministri Edi Rama ndau foto nga qyteti i Fierit, i zbukuruar nga çelja e luleve në këtë pranverë.
Kumbullat e kuqe të mbjella në rrugë kryesore tashmë kanë sjellë ngjyra e freski në qytet. Shëtitorja pranë lumit Gjanica në qytetin e Fierit është kthyer në një ambient shplodhës për qytetarët.
Projekti për rehabilitimin e Gjanicës synoi valorizimin e brigjeve të lumit, përmes gjelbërimit. Në projektin u përfshinë edhe sistemimi i ujërave të zeza dhe ujërave të shiut në zonën e shtratit të lumit, rehabilitimi mjedisor i lumit dhe krijimi i një peizazhi rekreativ për shtratin e lumit.
Po ashtu, u siguruan rrjete rrugore të mirëlidhura për këmbësorët, hapësira publike dhe në tërësi, një peizazh i përmirësuar infrastrukturor.
Lumi Gjanica, dikur një mrekulli natyrore, për shumë vite u keqpërdor nga bizneset, të cilat e shndërruan atë në një vendgrumbullim plehrash dhe hidrokarburesh.
Lumi Gjanica, me një gjatësi prej 42 km, buron nga Mallakastra dhe përshkon qytetin e Fierit. Ai është degë e Semanit dhe buron nga pjesa jugore e malit të Shpiragut, përshkon gjithë trevën e Mallakastrës, kalon mes përmes qytetit të Fierit dhe derdhet në Seman, në afërsi të Mbrostarit./ata