Kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Meta prezantoi sot 5 prioritetet kryesore të Partisë së Lirisë për 10 vitet e ardhshme dhe objektivin madhor për 20 vitet e ardhshme.
Në një konferencë për mediet, Meta renditi pikat e programit të miratuar në konventën themeluese si forcimin e lirive politike, ekonomike, dhe të drejtave të qytetarëve, kthimin e vendit në normalitet demokratik ku vullneti i qytetarëve zgjedh qeverisjen dhe imponon llogaridhënien e saj, duke zbatuar referendumin si formë të demokracisë direkte dhe si garantor se vullneti i qytetarëve nuk mund të merret peng nga keqqeverisja.
Partia e Lirisë, sipas Metës, do të përqendrojë veprimtarinë e saj për të realizuar këto prioritete që synojnë Shqipëri evropiane e me standarde të larta jetese.
Meta nënvizoi se, “projekti dhe objektivi madhor i Partisë së Lirisë është që në 20 vitet e ardhshme, Shqipëria të ketë mbi 4 milionë banorë rezidentë shqiptarë, që të jenë të lumtur e krenarë të jetojnë e të jenë të mirëqenë në vendin e tyre”.
Për këtë, Meta tha se 5 prioritetet e PL dhe masat konkrete do të jenë, ndalimi i shpopullimit, mbështetje e lindshmërisë me pagesa direkte me rritje progresive për çdo fëmijë të lindur, subvencionim i ushqimit dhe veshjeve të domosdoshme të bebeve.
Po ashtu, do synohet krijimi i fondit të strehimit për familjet e reja (në apartamentet e fondit të familjeve (blerje me kosto e apartamenteve të pashitura), mbështetje direkte për blerje apartamentesh dhe subvencionim i kredive”.
Meta u shpreh se prioritet do të jetë rritja e pensioneve mbi nivelin e mesatares së rajonit brenda një mandati qeverisës. Sa i përket arsimit dhe investimit tek kapitali njerëzor, Meta tha se objektiv është, dyfishimi i buxhetit për arsimin./ata