Komisioni Hetimor lidhur me shërbimet publike të “Sterilizimit” dhe të Check-Up në shëndetësi zhvilloi sot mbledhjen e radhës.
Në rendin e ditës të mbledhjes së sotme ishte miratimi i procesverbalit të datës 25 mars, miratimi i ekspertëve të komisionit, miratimi i kërkesave për informacion si dhe caktimi i mbledhjes pasardhëse.
Në nisje të mbledhjes, pas kërkesës së kryetares Albana Vokshi, Komisioni mbajti një minutë heshtje në nder të viktimave të 2 Prillit 1991.
Mbledhja nisi sërish me debate, ku kryetarja Albana Vokshi hodhi akuza kundrejt PS se po tentonte të kontrollonte punën e këtij komisioni. Shkak u bë një mbledhje e sekretarit të komisionit, Klevis Xhoxhi me stafin mbështetës për komisionin.
Vokshi tha se, këto ishin shantazhe dhe presione ndaj stafit për të kontrolluar punën.
Sekretari i Komisionit, Klevis Xhoxhi hodhi poshtë akuzat duke thënë se ishin thashetheme korridoresh.
Nga ana tjetër, nënkryetari Ndreca u shpreh se, nuk bënin asgjë tjetër, veçse zbatimit të ligjit.
Ndërsa edhe formulari i deklarimit për konfliktin e interesit për deputetët anëtarë të Komisionit Hetimor të Shëndetësisë, u bë sërish çështje debati mes opozitës dhe PS.
Vokshi kërkoi që anëtarët të nënshkruanin formularin e deklarimit që nuk kanë konflikt interesi, por socialistët nuk pranuan, duke thënë se kjo çështje nuk ishte në rendin e ditës.
Më pas Komisioni Hetimor për Shëndetësinë ka caktuar ekspertët, dy nga opozita dhe dy nga mazhoranca. Ekspertë të mazhorancës janë Bledar Skënderi dhe Ermir Bejtja, ndërsa ekspertë të opozitës janë Franci Nuri dhe Meri Lika./ata