Ministri i Brendshëm, Taulant Balla kërkoi sot mbështetjen e opozitës për të votuar përtej ndasive politike dekretin e Presidentit që ktheu për shqyrtim në Kuvend ligjin “Për shtetësinë”.
Në mbledhjen e komisionit të Sigurisë Kombëtare, Balla kërkoi mbështetje pa dallim të krahëve politikë, për t’i dhënë fund një vonese të pakuptueshme për këtë ligj.
Balla u shpreh kundër provimit të gjuhës shqipes për shqiptarët e Kosovës, Republikës së Maqedonisë së Veriut apo diasporës.
Ai kërkoi që të hiqet menjëherë detyrimi për çdo shtetas me kombësi shqiptare, që për të marrë shtetësinë e vendit amë duhet të japë provimin e gjuhës shqipe.
Po ashtu ai kërkoi që për dhënien e shtetësisë me procedurë të veçantë, kryesisht në fushën e sportit, kur bëhet fjalë për një talent në sport duhet të mundësohet dhënia e shtetësisë edhe nën moshën 18 vjeç.
“Ka shumë argumente që tejkalojnë ndasitë tona politike. Bëhet fjalë për shtetas që kanë lindur shqiptar, flasin gjuhën shqipe dhe ne duhet t’i kërkojmë të japin provim të gjuhës shqipe. Të votojmë dhe një herë ligjin dhe dekretet. Meqë këtu janë përfaqësues të presidentit të marrim aprovimin që të hyjë për miratim ditën e enjte”, tha Balla./ata