Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, përmes një postimi në rrjetet sociale,  ka përkujtuar 33 vjetorin e masakrës së 2 Prillit në Shkodër.

“Ndonëse regjimi ishte duke dhënë shpirt, ai ishte i gatshëm të godiste pa mëshirë të gjithë ata që donin ndryshim dhe një Shqipëri si të gjithë Evropa”, shkruan Basha.

“Protesta e 2 Prillit 1991 dhe masakra që pasoi është një ngjarje e përmasave epokale që tregon se përmbysjet e mëdha nuk mund të realizohen pa sakrifica të mëdha. Ndonëse regjimi ishte duke dhënë shpirt, ai ishte i gatshëm të godiste pa mëshirë të gjithë ata që donin ndryshim dhe një Shqipëri si të gjithë Evropa”, theksoi Basha.

Basha shprehu përulje të thellë dhe nderim të përjetshëm për lulen e rinisë shkodrane, Arben Brocin, Bujar Bishanakun, Nazmi Kryeziun dhe Besnik Cekën, martirizimi i të cilëve, nënvizoi kreu i PD, “shënjoi nisjen e një ndryshimi rrënjësor, që sa më shpejt të ndodhte aq më mirë do të ishte për të gjithë shqiptarët”.

“Edhe pse kanë kaluar 33 vite, duket se e keqja përsërit vetveten, ndaj ngjarje të tilla duhet të na shërbejnë si përkujtim se për Lirinë dhe Demokracinë duhet të shkojmë në betejë përditë”, u shpreh më tej Basha.

“Kjo datë është një kambanë e përhershme dhe një thirrje e pandalshme se asnjëherë nuk duhet të rreshtim së përpjekuri për t’i tharë rrënjët e së keqes, duke i shkulur një herë e përgjithmonë, dhe duke mbjellë farën e së mirës për një shoqëri dhe komb që e ka të domosdoshëm ndryshimin dhe përtëritjen”, theksoi Basha./ata