Shqipëria është pjesë e Trupave të Gjendjes të Gatishmërisë së Lartë të NATO-s. Së fundmi ata u trajnuan në Poloni gjatë stërvitjes “Steadfast Defender”. Atje u testua ndërveprueshmëria e tyre me aleatët e tjerë të NATO-s.

Ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi theksoi sot se, Shqipëria, si anëtare e NATO-s, paraqet një angazhim të padiskutueshëm në sigurinë globale.

“Përfaqësimi ynë në Aleancë tregon përkushtimin tonë të vazhdueshëm në ruajtjen e paqes dhe stabilitetit në nivel ndërkombëtar”, nënvizoi ministri.

“Kontributi dhe pjesëmarrja jonë në operacionet e NATO-s janë shembuj të qartë të përkushtimit tonë për bashkëpunimin ndërkombëtar dhe promovimin e vlerave të lirisë dhe demokracisë”, shtoi Peleshi në një postim në rrjetet sociale, teksa ndau edhe pamje nga stërvitja e forcave shqiptare në Poloni.

Toger Odisea Kasa, i Batalionit të Këmbësorisë të forcave shqiptare u shpreh se, “është shumë e rëndësishme të bashkëpunosh me aleatët, sepse ndërveprimi ndikon në përmirësimin dhe forcimin e performancës”.

“Vij nga një familje veteranësh të Luftës, gjë që më motivon të bëhem edhe unë pjesë e Forcave të Armatosura. Ti lufton për vendin tënd, kjo është gjëja më e rëndësishme”, tha ai.

“Ushtria është si një familje e madhe, ku të gjithë punojmë, gëzohemi, ushqehemi dhe stërvitemi bashkërisht. Ne jemi miq”, theksoi Kasa./ata