Kalimi nga pagesat me para në dorë tek ato elektronike, mbetet sfidë në vend, edhe pse është rritur numri i kartave bankare.

Në fund të muajit shkurt 2024, sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë jashtë bankave qarkullonin 3.7 miliardë euro, me rënie prej 55 milionë eurosh krahasuar me fundin e vitit 2023. Edhe pse në rënie, mënyra se si shqiptarët i paguajnë mallrat apo shërbimet që blejnë mbetet e përqendruar tek paraja në dorë.

Për të ulur përdorimin e parave cash, një masë e ndërmarrë nga qeveria që do të nisë të zbatohet në muajin maj e do të zgjasë deri në gusht, ka si synim të mbushë llogaritë bankare të 300 qytetarëve me 10 mijë lekë për 4 muaj, dhe me këtë fond ata të bëjnë pagesa të shpejta elektronike për shërbimin e apo mallin që blejnë

Ky projekt pilot do të zhvillohet në Tiranë në njësinë administrative numër 5, në Dibër dhe Përmet, dhe në dispozicion janë vënë nga buxheti i shtetit 12.4 milionë lekë.

300 personat që do të përfshihen në këtë projekt pilot do të përzgjidhen në mënyrë rastësore nga Drejtoria e Gjendjes Civile, dhe duhet të jenë të përfshira të gjitha moshat nga 18 vjeç deri 70 vjeç.

Pas përzgjedhjes qytetarët do të plotësojnë një formular ku pranojnë të jenë pjesë e projektit dhe ku pranojnë që këto para do ti përdorur për të bërë pagesa vetëm përmes aplikacioneve elektronike.

Ndërsa bizneset e tregtisë me pakicë ku do të blejnë qytetarët e do të paguajnë në mënyrë elektronike, do të përzgjidhen nga Agjencia për Mbështetjen dhe Zhvillimin e Start UP, duke marrë në konsideratë afërsinë me zonat ku do të zhvillohet ky projekt.

Po ashtu agjencia do të përzgjedhë edhe institucionet e parasë elektronike dhe ato financiare për të paraqitur një zgjidhje teknike për zbatimin e këtij projekti.

“Kryerja dhe konfirmimi i pagesës në kohë reale nëpërmjet portofolit elektronik, që ofrojnë institucionet e parasë elektronike dhe institucionet e tjera financiare, realizohet nëpërmjet përdorimit të kodit QR të faturës së fiskalizuar, sipas një procedure teknike. Çdo faturë e gjeneruar nga sistemi shoqërohet vetëm me një kod QR të faturës së fiskalizuar dhe përmban informacion për llogaritë bankare të shitësit, si dhe detajet e faturës. Nëpërmjet një aplikacioni bankar të përzgjedhur nga blerësi, skanohet kodi QR dhe në aplikacion shfaqen të dhënat e faturës e të llogarisë së shitësit. Në çdo rast, blerësit do t’i shfaqet edhe vlera e saktë e kryerjes së këtij transaksioni. Me përzgjedhjen e njërës prej llogarive të biznesit, blerësi konfirmon pagesën, duke përdorur opsionin përkatës. Pas kryerjes së pagesës, nëpërmjet kanaleve bankare të ndërveprimit, konfirmimi i pagesës do të vijë nga banka pritëse. Me marrjen e konfirmimit nga banka pritëse, e-Albania informon sistemin elektronik të tatimeve. Sistemi i tatimeve e konsideron këtë faturë të përfunduar dhe nuk lejon që të kryhet pagesë tjetër për këtë faturë, me qëllim shmangien edhe të gabimeve teknike”, thuhet në vendimin që ka hyrë në fuqi.

Një tjetër masë për të ulur përdorimin e parave cash, është edhe hapja e llogarive bankare për pensionistët dhe kategoritë e tjera që marrin ndihmë nga shteti, pa asnjë kosto. Vendim ky që u tha se do të nisë të zbatohet prej datës 3 prill, por më pas u saktësua se ende nuk ka një afat kohor.