Ritmi i rritjes së kredisë bankare vijoi të përshpejtohet gjatë muajve prill – maj, duke regjistruar një nivel mesatar prej rreth 14%, bëri të ditur Banka e Shqipërisë.
Sipas BSH-së, zgjerimi i kredisë pasqyron në masën më të madhe rritjen e shpejtë të kredisë në lekë, portofoli i së cilës shënoi një rritje vjetore prej 22% në muajin maj.
Referuar statistikave, kjo ecuri ka pasqyruar si normat relativisht të ulëta të interesit të kredisë në lekë, të cilat kanë rritur kërkesën për këtë segment, ashtu edhe një kujdes më të madh të biznesit dhe familjeve shqiptare në drejtim të reduktimit të ekspozimit të panevojshëm ndaj rrezikut të kursit të këmbimit.
Banka Qendrore vëren se ky trend ka sjellë rritjen e mëtejshme të peshës së portofolit të kredisë në lekë, duke rritur efektivitetin e politikës monetare dhe duke forcuar stabilitetin financiar të vendit.
Paralelisht me të, thekson BSH-ja, kredia për sektorin privat shfaq edhe disa trende të tjera pozitive zhvillimi: ajo ka një orientim të rritur drejt financimit të investimeve të biznesit, si dhe vijon të ruajë një cilësi të mirë të portofolit, sikundër dëshmohet nga nivelet historikisht të ulëta të treguesit të kredive me probleme.
“Këto zhvillime pozitive pritet të vijojnë dhe në të ardhmen”, deklaron BSH-ja./ata