Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin tha se do t'i gjejnë të gjithë personat që kanë lidhje me sulmin terrorist në Moskë.

Në një fjalim të mbajtur në mbledhjen e Ministrisë së Brendshme të Rusisë në Moskë, Putin foli lidhur me sulmin terrorist më 22 mars në sallën e koncerteve në Moskë.

Ai nënvizoi se çështja e emigrantëve të paligjshëm në Rusi ka rëndësi. "Ndonjëherë ndodhemi përballë grupeve që kryejnë këto lloj krimesh dhe ndonjëherë përballë organizatave të vërteta kriminale. Në shumicën e rasteve ka një strukturë përtej kufijve dhe që punojnë krah për krah me shërbimet e huaja sekrete", tha Putin.

Sipas tij, sulmi terrorist nuk duhet të drejtohet ndaj grupeve të ndryshme etnike në Rusi. "Është e papranueshme të përfitohet nga ngjarja tragjike (sulmi terrorist në Moskë) për të nxitur mosmarrëveshje etnike, ksenofobinë, anti-muslimanizëm (islamofobinë) dhe gjëra të ngjashme me këto", tha Putin.

"Duhet të kapen të gjithë autorët, përfshirë edhe ata që ndodhen pas sulmit. Për ne është e rëndësishme të zbulojmë të gjitha unazat e zinxhirit, përfshirë autorët dhe ata që kanë përfituar nga ky krim. Patjetër do t'i gjejmë të gjithë", tha presidenti rus.

- Sulmi terrorist në Moskë

Mbrëmjen e 22 marsit persona të armatosur kryen sulm terrorist në sallën e koncerteve "Crocus City Hall" në Moskë.

Në pamjet e ndara në mediat sociale, shihej se agresorët hapnin zjarr me armë automatike pa dallim ndaj të pranishmëve në sallë.

Numri i viktimave nga sulmi terrorist u rrit së fundmi në 144.

Lidhur me sulmin u arrestuan 10 persona./aa