Në Ditën Botërore të Ndërgjegjësimit për Autizmin, kryetarja e bashkisë së Durrësit, Emiriana Sako mori pjesë në aktivitetin e zhvilluar nga Qendra e Shërbimeve Komunitare për Fëmijët me Aftësi të Kufizuara.

Në këtë aktivitet fëmijët e talentuar me çrregullim të spektrit të Autizmit, prezantuan veten dhe talentet e tyre.

Prindërit u shprehën falenderues për mbështetjen e treguar ndër vite nga bashkia Durrës, për ofrimin cilësor dhe me standarte të shërbimeve për fëmijët me aftësi të kufizuara.

“Shërbimi ndaj këtyre fëmijëve është prioritet i punës sonë dhe ne kemi këtë qendër të posaçme që ofron jo vetëm shërbime për fëmijët, sipas nevojave që ata kanë, por është një derë e hapur për të gjithë familjen, për shërbime dhe informim”, tha Sako.

Sako theksoi se “aktualisht janë 85 fëmijë me aftësi të kufizuara dhe familjet e tyre që marrin shërbime nga kjo qendër”.

Sot është Dita Botërore e Autizmit, që synon të rrisë ndërgjegjësimin lidhur me çrregullimet e spektrit të autizmit dhe përmirësimin e jetës së atyre që jetojnë me autizëm./ata