Ambasadori holandez, Reinout Vos u prit sot nga kryetarja e Autoritetit për Informim mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit, Gentiana Sula, e cila e njohu gjerësisht me proceset e punës, arkivën, digjitalizimin, projektet vizuale në kuadër të kujtesës, botimet e konferencave akademike me qëllim rishqyrtimin e historisë, si dhe me përpjekjet disa vjeçare që po bëhen në lidhje me të zhdukurit gjatë regjimit komunist.

Pas një prezantimi të hartës mbi vendvarrimet e dyshuara të të zhdukurve, takimi vijoi në sallën e mbledhjeve ku u diskutua në lidhje me ecurinë e hetimeve administrative mbi vendvarrimet e dyshuara, të personave të ekzekutuar nga regjimi apo të vdekur në burgjet politike të diktaturës.

Ambasadori Vos vlerësoi punën e AIDSSH-së në drejtim të rishqyrtimit të historisë, hetimeve për të pagjeturit, vendosjen e memorialeve në vendet e ngjarjeve të kujtesës historike, si në ish-Kampin e Tepelenës dhe atë të Maliqit.

Ambasadori holandez konsideroi si të dobishme vijimin e mbështetjes së Bashkimit Evropian për njohjen e së shkuarës.

“Njohja e gabimeve të së shkuarës paraqitet e vështirë dhe në disa vende të Evropës. Gjermania e ka realizuar këtë me sukses. Adresimi i trashëgimisë së një të kaluare të dhunshme është thelbësore për rindërtimin marrëdhënieve dhe besimit midis individëve dhe komuniteteve”, tha ambasadori holandez Reinout Vos, në fjalën e tij./ata