Prefekti i qarkut të Vlorës, Vangjel Tavo zhvilloi sot një takim me kryepleq nga të gjitha fshatrat e bashkisë së Himarës, me të cilët diskutoi mbi çështje të rëndësishme si sezoni turistik, parandalimi i zjarreve dhe disa problematika të komunitetit.

Gjatë takimit Tavo premtoi angazhimin e tij maksimal mbi zgjidhjen e tyre në mënyrë sa më të shpejtë.

“Diskutuam edhe për çështjen e regjistrimit të pronave, të cilën si prefekt, në bashkëpunim me pushtetin vendor dhe me agjencitë shtetërore të Kadastrës do të avancojmë me procesin e hipotekimit të pronave duke hapur zyrën e Hipotekës në bashkinë e Himarës”, theksoi Tavo.

Prefekti Tavo tha se “shpreha mirënjohjen e thellë për integritetin e lartë njerëzor që përfaqësojnë kryepleqtë e këtyre fshatrave, respektin që treguan dhe për vullnetin dhe gatishmërinë për të punuar së bashku duke ecur përpara për zhvillimin e zonës dhe forcimin e mëtejshëm të harmonisë në këtë bashki me vlera të rralla”.

Bashkia e Himarës është qendra e turizmit shqiptar falë investimeve të kryera në fshatrat turistike të saj. Gjatë viteve të fundit mijëra turistë vendas e të huaj kalojnë pushimet verore në fshatrat turistike e kësaj bashkie./ata