Televizioni izraelit "Channel 12" njoftoi se SHBA-ja ka refuzuar planin e Izraelit për të evakuuar palestinezët nga Rafah në jug të Rripit të Gazës me qëllimin për t'u përgatitur për sulmin e tij tokësor.
Sipas "Channel 12", zyrtarë të dy vendeve përfshirë sekretarin e Shtetit të SHBA-së, Anthony Blinken dhe këshilltarin e Sigurisë Kombëtare, Jake Sullivan, ministrin izraelit të Çështjeve Strategjike, Ron Dermer dhe kreun e Këshillit të Sigurisë Kombëtare, Tzachi Hanegbi, mbajtën një takim përmes internetit ku diskutuan propozimet alternative të administratës së Washingtonit në vend të sulmit ndaj Rafah.
Sullivan i cili mori fjalën në takim, iu drejtua izraelitëve duke thënë: "Ju jeni gati të merrni përgjegjësinë për një krizë urie që do të ndodhë në shekullin 21 dhe kjo është e papranueshme. Plani i evakuimit që keni paraqitur deri tani nuk është as mbresëlënës dhe as i zbatueshëm".
Ndërsa Blinken tha: "Do të duhen 4 muaj për të evakuuar Rafah, sipas shpejtësisë së punës tuaj në dërgimin e ndihmave humanitare".
Ministri izraelit Dreamer pretendon se Hamasi nuk mund të shpërndahet pa hyrë në Rafah dhe se për arritjen e objektivave të luftës ky është një kusht që nuk mund të kapërcehet.
Këshilltari i Sigurisë Kombëtare të SHBA-së, Jake Sullivan në përgjigje ndaj Dreamer tha: "Nëse nuk ka plan të organizuar për ditën e nesërme (të luftës), as Rafah dhe asgjë tjetër nuk mund t'ju ndihmojë të përparoni drejt shpërbërjes së Hamasit".
Në fund të takimit që zgjati rreth dy orë, në një deklaratë të përbashkët në emër të Shtëpisë së Bardhë u theksua se "Izraeli do të marrë në konsideratë shqetësimet e SHBA-së lidhur me sulmin tokësor në Rafah".
Administrata amerikane ka thënë se është kundër sulmit në Rafah në të cilin strehohen rreth 1.5 milion palestinezë. Pavarësisht kundërshtimeve të SHBA-së, Izraeli thekson se do të fillojë sulm tokësor në Rafah.
Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu në një konferencë për media më 1 prill njoftoi se ushtria izraelite ka miratuar sulmin tokësor në Rafah./aa