Nga selia qendrore e NATO- në Bruksel, gjatë ceremonisë zyrtare për 75 vjetorin e Aleancës, ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani, tha se një lidhje e fortë euroatlantike, është thelbësore për paqen dhe sigurinë e ardhshme të brezave.

“Si një komb i vogël, ne e kuptojmë thellë fuqinë e unitetit. Konkurrenca strategjike, kërcënimet e reja, fushatat kibernetike dhe dezinformuese, kërkojnë përshtatje.  Ne jemi të inkurajuar nga fokusi në rritje i NATO-s në këto fusha, duke siguruar rëndësinë e saj të vazhdueshme në ruajtjen e së ardhmes sonë të përbashkët”, tha ministri Hasani.

Duke vlerësuar rolin e Aleancëa ndër vite, Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme u ndal veçanërisht në rajon.

“Ju ruajtët jetën e njerëzve në rajonin tonë, jetën e njerëzve nga Bosnja dhe Hercegovina dhe Kosova, të cilët po përballeshin me spastrim etnik”, nënvizoi kryediplomati Hasani./ata