Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj në rubrikën e përjavshme, ka prekur temën e “lëvizshmërisë dhe trafikut” në të cilën ka trajtuar problematikat e qytetit.

 

Veliaj thotë se Tirana ka rritje të popullsisë për këtë arsye trafiku rëndohet. Bashkia ka menduar zgjidhjen të cilën sjellë konceptin e “demokracisë së rrugës”.

 

 “Po e them troç që në fillim: 20-25 mijë qytetarëve, që na bashkohen çdo vit në Tiranë ne nuk do t’ua vëmë traun, siç kërkojnë të bëjnë disa që i ndajnë qytetarët në të ardhur dhe vendalinj, apo i përqeshin, i përbuzin dhe bullizojnë ata që vijnë. Ne nuk u themi dot qytetarëve as “mos blini makina”. Nuk ndalojmë dot mijëra qytetarë që vijnë çdo ditë edhe nga rrethet në Tiranë, për të dhënë dhe për të marrë shërbime. Në këto kushte, është e pamundur të pretendosh që infrastruktura urbane, pra rrugët dhe transporti publik, t’i përgjigjet me të njëjtin ritëm kësaj shpejtësie të jashtëzakonshme të zhvillimit”, tha Veliaj.

 

Për kyebashkiakun kjo sfidë nuk prek vetëm Tiranën, por edhe shumë qytete të zhvilluara europiane, si Milano, Berlini, Londra, apo Parisi. Sipas tij, paradigma e çuditshme është që, sa më i suksesshëm qyteti, aq më kokëçarje e përditshme është trafiku.

 

“Ne besojmë tek ajo që quhet “demokracia e rrugës”. Në rrugët tona kalojnë makinat private, kalojnë autobusët, por kalojnë edhe pedaluesit, dhe mbi të gjitha këmbësorët, ata që nuk kanë makina, ose që pëlqejnë të ecin. A duhet që rrugët t’ia kushtojmë vetëm makinave, meqë janë më të mëdha dhe i bien më shumë borisë, apo mos është më e drejtë t’i ndajmë në mënyrë proporcionale për alternativat e ndryshme të lëvizjes, nga ecja e deri tek përdormi i automjeteve?”, pyeti ai.

 

Veliaj shpjegoi konceptin e “demokracisë së rrugës”, duke marrë shembull “Rrugën e Durrësit”.

 

“Dikur në ‘Rrugën e Durrësit’, automjetet dhe transporti urban ndanin bashkë të njëjtat korsi, duke mbuluar 60% të hapësirës. Kurse këmbësorët mbeteshin me 40% të hapësirës dhe infrastruktura e biçikletave ishte zero. Sot, ‘Rruga e Durrësit’ ka kaluar në një tipologji tërësisht të re, ku automjeteve u është ndarë më pak hapësirë, pra vetëm 26%, ndërsa transporti urban ka kaluar në 21% korsi të dedikuar. Hapësira e këmbësorëve në fakt mbetet e njëjta, 40% e pa prekur, ndërsa hapësira që ua kemi marrë makinave dhe e kemi kaluar për biçikletat, të cilat sot kanë 13% të hapësirës së lëvizjes, është një ndarje më demokratike e kësaj hapësire të lëvizjes dhe shumë herë më e drejtë se ajo që gjetëm, dhe meqë ra fjala, edhe me një trafik më të lirshëm në ‘Rrugën e Durrësit’”, sqaroi ai.

 

Synimi është shtimi i hapësirës për këmbësorët, e kjo aktualisht po realizohet në lagjet e reja, ku po merr jetë koncepti i qytetit ‘15-minutësh’,  thotë Veliaj.

 

“Aty ku kemi pasur mundësi që ta projektojmë një rrugë nga e para, siç është rasti i “Bulevardit të Ri” të Tiranës, ne kemi zbatuar tipologjinë që aspirojnë qytetet e së ardhmes, ku ndarja e hapësirës së lëvizjes është edhe më e barabartë, duke përfshirë edhe hapësira më të dedikuara për gjelbërimin, pra parqe lineare – një element të cilin, Tirana po e sjell çdo ditë e më afër qytetarëve të saj. Automjetet kanë vetëm 20%, pra edhe më pak hapësirë; transporti urban ka 12%, ndërkohë këmbësorët 30%, korsitë e biçikletave 3% dhe gjelbërimi zë hapësirën më të madhe prej 35% në të dy anët e ‘Bulevardit të Ri’”, u shpreh ai.

 

Kryebashkiaku thotë se që në kohën e gjenezës lagjia edhe në Kombinat dhe te “5 Maji”, janë gërshetuar lëvizjen në këmbë, me biçikletë dhe makinë dhe që reflektojnë konceptin e “Qytetit 15-minutësh”.