Numri i aplikimeve për të përfituar nga skema e grandeve për Start Up-eve arriti gjatë një muaji deri në 539.
Pas përfundimit të afatit më 31 mars, aplikantët do të kalojnë në një verifikim që kërkon tri faza.
“Faza e parë është e vlerësimit administrativ dhe shikon përputhshmërinë ligjore dhe rregullatore që kanë këto aplikime në bazë të kërkesave ligjore që ne kemi shpallur në thirrje, si: A kanë pasaportë start up, a kanë paguar detyrime tatimore apo a kanë dëshmi penaliteti të pastër. Më pas vijohet me fazën e vlerësimit teknik, kur një komision me pesë anëtarë shikon të gjitha aplikimet që kanë kaluar fazën e parë. Pas kësaj kemi edhe një fazë të fundit, që është faza e ankimit”, tha Arjan Ymeri, drejtor i Agjencisë Kombëtare të Start Up-eve.
Shpërndarja e fondit pritet të mbyllet brenda muajit prill.
“Për secilin aplikant ne firmosim një kontratë, që ka të përshkruar edhe skemën e disbursimit. Këtë skemë ne e kemi ndarë në 30 për qind kësti i parë, 40 për qind është kësti i dytë që jepet pas tre muajve nga kësti si parë dhe më pas kemi edhe 30 për qind këstin e fundit”, tha Ymeri.
Fondi i vënë në dispozicion nga qeveria për të mbështetur ata që kanë një ide inovatore, që janë biznese prej një viti, por edhe për ata që janë në fazën e rritjes së biznesit, është 300 mln lekë./ata