Në Shkodër është drejt përfundimit rikonstruksioni tërësor i Poliklinikës së Specialiteteve “Bahri Kopliku”, e cila do të ofrojë shërbim për rreth 200 mijë banorë të qarkut.

Lajmi u bë i ditur nga kryeministri Edi Rama në një postim në rrjetet sociale.

Rama tha se “me mbështetjen e buxhetit të shtetit është bërë i mundur transformimi i kushteve të punës për stafin mjekësor, zgjerimi i hapësirave ekzistuese, pajisja me aparatura të reja mjekësore në 19 kabinete për specialitete të ndryshme të sëmundjeve të brendshme dhe gama e plotë e ekzaminimeve laboratorike e imazherike”.

Kryeministri Rama theksoi se “vijojmë pa u ndalur me investimet në infrastrukturën shëndetësore, rritjen e shërbimeve socio-shëndetësore të specializuara si dhe shërbimin shëndetësor në banesë për qytetarët që e kanë të pamundur të aksesojnë në qendrat shëndetësore”.

Edhe ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu ndau në rrjetet sociale pamje nga punimet që po kryhen në këtë poliklinikë.

Ky investim i qeverisë do të bëjë që pasi godina të rehabilitohet plotësisht, të kalojë një transformim të poliklinikës dhe riorganizim të kabineteve mjekësore të specialiteteve të ndryshme, sëmundjeve të brendshme, si dhe ekzaminime laboratorike e imazherike në: kardiologji, gastrohepatologji, reumatologji, endokrinologji, nefrologji, hematologji, pneumologji, pediatri, kirurgji, ORL, neurologji, onkologji dhe alergologji.

Ky institucion shëndetësor do të pajiset edhe me aparatura të reja mjekësore dhe diagnostikuese./ata