Zëvendëskryeministrja, njëherësh ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku në përgjigje të deklaratave të deputetes demokrate, Dhurata Çupi se puna për tunelin e Murrizit është pezulluar, vuri në dukje se “vetëm problemi gjeologjik është arsyeja që e vonojmë tunelin e Murrizit”.

Çupi kërkoi transparencë për Rrugën e Arbrit, ndërsa u shpreh se qarku i Dibrës është më i varfri në vend, e kjo sipas saj për shkak të politikave të qeverisë.

Balluku në përgjigjen e saj, theksoi se Rruga e Arbrit është kontratë PPP 13-vjeçare me një shumë të përcaktuar prej 33 miliardë lekësh që nuk ndryshon asnjë qindarkë. “Jam shumë e lumtur të organizohemi dhe të futemi në tunelin e Murrizit dhe të shikoni sa hekur është hedhur aty dhe çfarë pune është bërë”, u shpreh Balluku.

Sipas saj, nuk shpenzohet asnjë lek më shumë veç asaj në kontratë.

“Janë kosto të kompanisë që ka marrë përsipër atë punë. Është pezulluar puna në maj të 2019 sepse kemi ndeshur në basenet nënujore të Murrizit, dhe ka pasur një raport, dhe është transparent. Rruga e Arbrit ka vazhduar dhe problematika ka qenë në Murriz, por shpresojmë dhe duam ta dorëzojmë brenda dhjetorit të 2024” deklaroi Balluku.

Balluku tha se, “brenda dy muajve do të dorëzohet tuneli i Llogorasë, investim ky që realizohet 6 muaj para afatit”./ata