Puna për ndërtimin e Lotit 7 të unazës verilindore, me gjatësi 1.92 km, po vijon me ritme të larta.

Loti 7 nis nga pjesa fundore e “Bulevardit të ri” e deri në bregun e Lumit të Tiranës.

Autoriteti Rrugor Shqiptar (ARRSH) bën të ditur se në lotin e 7 të Unazës Verilindore ka filluar puna për vendosjen e trarëve për ndërtimin e mbikalimit që do të bëjë lidhjen e Unazës së Madhe me rrugën “5 Maji”.

Paralelisht po punohet edhe me pjesën fundore të këtij loti ku po bëhet mbushja e trupit të rrugës, si dhe ndërtimi i nënshtresave dhe shtresave rrugore.

Po ashtu, po punohet për mbrojtjen lumore dhe montimin e barrierave rrugore.

Në Unazën e madhe po punohet në disa segmente, në pjesën nga rrethrrotullimi “Shqiponja” te Bulevardi i Ri dhe aksin nga Bulevardi i Ri në Shkozë. Në këtë aks parashikohet të ndërtohen vepra arti dhe rrugë dytësore të cilat do të lidhin unazën me zona të tjera të kryeqytetit.

Unaza e Madhe e kryeqytetit përbën një segment prej 27 kilometrash të gjatë. Përfundimi i saj në vitin 2023 lehtëson trafikun brenda Tiranës, ndërsa e lidh kryeqytetin me të gjithë rrugët dalëse kombëtare.

Unaza e Madhe po avancon dita-ditës, ku tashmë portat hyrëse-dalëse të kryeqytetit janë hapur për qarkullim të plotë duke lehtësuar ndjeshëm trafikun./ata