Muzeu Kombëtar i Përgjimeve “Shtëpia me gjethe” përkujtoi sot përkthyesin, shkrimtarin, klerikun e lartë, Hafiz Ali Korça (5 prill 1873 – 31 dhjetor 1957).

Hafiz Ali Korça lindi në Korçë në një familje dijetarësh të fesë myslimane. Shkollimin fillor e kreu në vendlindje. Më pas vazhdoi studimet për teologji në Stamboll. Shpejt u fut në lëvizjen kombëtare në mbrojtje të gjuhës shqipe dhe përkrahjes që i dha alfabetit latin. Ka kontribute të spikatura në Kongresin e Dibrës dhe në Kongresin e Elbasanit më 1909. Me ardhjen e princ Vidit në Shqipëri u caktua këshilltar i lartë për arsimin. Më pas vendoset si drejtor për arsimin në Durrës, Elbasan, Mat dhe Pogradec. Është gjithashtu një nga themeluesit e Medresesë së Tiranës. Hafiz Ali Korça është një nga denoncuesit e parë të ideologjisë komuniste me anë të pamfletit: “Bolshevizma a shkatërrimi i njerëzimit” më 1925. I njohur për bindjet e tij antikomuniste, Hafiz Ali Korça u arrestua si reaksionar dhe pjesëtar i “Ballit Kombëtar” më 1945. U burgos dhe më pas u internua në Kavajë, aty ku ndërroi jetë më 31 dhjetor 1957.

Si njohës i mirë i gjuhëve orientale, Hafiz Ali Korça ka përkthyer “Gjylistani dhe Bostani” të Saadiu dhe “Rubairat” të Omar Khajamit. Gjithashtu ka shkruar veprat me tematika fetare, gjuhësore dhe politike si: “Mevludi”, “303 fjalët e Imam Aliut”, “Historia e shenjtë dhe katër halifetë”, “Gramatika, Syntaksa shqip-arabisht”, “Shtatë ëndrrat e Shqipërisë”, “Tefsiri i Kuranit”, “Bolshevizma a shkatërrimi i njerëzimit” etj.

Për nder të veprës së tij është dekoruar nga Presidenti i Republikës me urdhrin “Nderi i Kombit” në vitin 2017./ata