Javët Kulturore Ndërkombëtare nisin rrugëtimin e tyre të tretë në Shqipëri, plot me surpriza dhe energji të reja.

Kryeministri Edi Rama bën me dije se qytetet shqiptare janë gati të mikpresin kulturat botërore me dëshirën për të përçuar vlerat dhe traditat e tyre duke nxitur shkëmbimin kulturor dhe frymëzuar inovacionin.

Ai fton qytetarët të bëhen pjesë e hapjes zyrtare të Javëve Kulturore Ndërkombëtare.

Ceremonia e hapjes do të mbahet në datën 1 maj, ora 20:00, në sheshin “Skënderbej”.

Javët Kulturore Ndërkombëtare (JKN) është një nismë e ish-Ministrisë së Kulturës 2022, që sjell në Shqipëri tingujt, imazhet, aromat dhe shijet e vendeve të ndryshme të botës.

Nëpërmjet këtij projekti vendet njihen më mirë, forcohen marrëdhëniet me partnerët ndërkombëtarë, si dhe rritet oferta e aktiviteteve kulturore në Shqipëri për të gjitha shijet dhe moshat. JKN e shndërron skenën e aktiviteteve kulturore në vend në një arenë ndërkombëtare shumëkulturore dhe shumëdisiplinore./ata