Për herë të parë, informacioni mbi ngulimet arbëreshe vjen i strukturuar në librin “Rrugëtim në ngulimet arbëreshe”, i autorëve Antonio Bellusci dhe Ornela Radovicka.
Qendra e Studimeve dhe Publikimeve për Arbëreshët shkruan se libri sjell një “skanim” të plotë të të gjitha ngulimeve të sotme arbëreshe, duke prezantuar veçoritë e secilës krahinë, arkitekturën, vendet, monumentet kulturore e fetare, traditat dhe personalitetet kryesore që u përkasin këtyre ngulimeve.
Sipas QSPA, teksti nuk ka thjesht trajtën e informacionit të aktualizuar mbi këtë komunitet të diasporës historike shqiptare, por ka edhe trajtë enciklopedike, sepse secilin prej ngulimeve e trajton në rrafshin sinkronik dhe në atë diakronik.
Pasioni shkencor i autorëve për të shkelur në terren, për të parë nga afër dhe për të dokumentuar gjithçka arbëreshe në Itali ka sjellë një guidë të çmuar orientuese për gjendjen e kësaj vatre arbërore në Itali./ata