Kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Meta theksoi sot se “strehimi është dhe mbetet një nga masat më të domosdoshme për të ndaluar shpopullimin si një nga prioritet më madhore të Partisë së Lirisë”.

Në fjalën e tij në tryezën me temë “Strehimi Social” të organizuar nga Partia e Lirisë, Meta tha se “pamundësia për strehim është një plagë e rëndë sociale, duke u kthyer në një nga arsyet themelore për largimin masiv të qytetarëve tanë në emigrim. Sepse, për çfarë perspektive mund të flasim për një familje të re, e cila nuk siguron dot një strehë për të rritur fëmijët? Ku edhe ata që ia dalin, kanë kosto të jashtëzakonshme, janë peng të mikrokredive dhe borxheve”.

Kreu i Partisë së Lirisë u shpreh se “nga tremujori i katërt i viti 2016 deri në vitin 2023, mbi 13.2 milionë metra katrore leje ndërtimi janë dhënë për gjithë vendin. Nga këto rreth 7.7 milionë metra katrorë leje ndërtimi janë dhënë vetëm në Tiranë. Ndërkohë në kryeqytet regjistrohen me mijëra apartamente të pashitura, si dhe mbi 55000 banesa bosh, ku ndërkohë me mijëra qytetarë janë pa strehim”.

Sipas tij, qeveria Rama nuk e ka zgjidhur problemin e strehimit, edhe pse Shqipëria është betonizuar masivisht vitet e fundit.

“Mjafton të shikojmë situatën në Tiranë. Fondi 3% i banesave, pra që synon banesa të gatshme që u merren ndërtuesve të cilët marrin leje për sipërfaqe mbi 2000 m2, për t’ja dhënë qytetarëve si banesa sociale, nuk ju është vendosur ne dispozicion qytetarëve, për shkak të pazareve që bëjnë me ndërtuesit”, tha Meta.

Meta u shpreh se “krahas objektivave madhore që ka Partia e Lirisë, strehimi është një nga prioritet për të mos lejuar margjinalizimin social. Programi i investimeve për ndërtimin nga shteti te banesave sociale të zgjerohet për t’u fokusuar jo vetëm për kriterin e të ardhurave, por të përfshihen edhe grupe specifike që kanë nevoja të veçanta strehimi, p.sh. familjet e reja, prindërit e vetëm, personat me aftësi të kufizuara ose me probleme shëndetësore, të moshuarit si dhe studentët. Financimi i këtij programi të rritet në masën 70 milionë euro, rreth 0.3% e PBB i barabartë me mesataren e financimit të programeve kryesore me vendet e BE –së. Totali i fondit për politikat e strehimit të arrijë në nivelin e 0.9% e PBB, ose rreth 210 milionë euro, për dy programet e mësipërme nga 0.03% e PBB që është aktualisht”./ata