Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit, deputetë të opozitës dhe mbështetës të Rithemelimit kanë zhvilluar sot një protestë përpara bashkisë së Tiranës.

Protesta është thirrur pas arrestimit me urdhër të SPAK të disa ish-drejtorëve të kësaj bashkie. Në protestë morën pjesë qytetarë dhe përfaqësues të opozitës.

Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, i pranishëm në protestë, tha se “kjo është protestë e shoqërisë civile. Si deputet dhe përfaqësues i qytetarëve, e kemi për detyrë të jemi në mbështetje të tyre. Zyrtarë të afërt me Veliajn kanë guxuar të vjedhin. Veliaj do të duhej të ishte me 5 vartësit e tij në qeli dhe jo në zyrën e bashkisë”.

“Ka shumë arsye për të protestuar. Ky nuk është një rast i shkëputur. Nëse hetoni, kjo është skemë e shtrirë në çdo bashki të vendit. Opozita, do të duhet t’i prijë qytetarëve për të bërë të mundur hetimet”, tha Bardhi.

Në protestë ishte i pranishëm edhe deputeti i PD-së, Flamur Noka, i cili tha se “qytetarët po protestojnë pasi në krye të bashkisë së Tiranës është simboli i babëzisë dhe kreu i vjedhjes me skemën ‘5D’ dhe inceneratorëve”.

Noka kërkoi dorëheqjen e Veliajt, pasi sipas tij, ai nuk mund të përfaqësojë më qytetarët e Tiranës dhe nuk mund t’i besohen më taksat e tyre.

Protestës iu bashkua edhe Argita Malltezi, vajza e ish-kryeministrit Sali Berisha. Ndërkohë protestës iu bashkua edhe kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Meta.

Protestuesit kanë gjuajtur në drejtim të bashkisë me vezë dhe me mollë, si dhe kanë tentuar që të futen në ambientet e brendshme, duke shtyrë kordonin e policisë./ata